Si deputet dhe si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, njohur edhe nga Rithemelimi, Enkelejd Alibeaj takohet shpesh me drejtuesit e mazhorancës socialiste në Kuvend për shkak të detyrës.
Takimet mund të jenë edhe informale, si takimi i fundit që Alibeaj thuhet se ka pasur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me homologun e tij socialist, Taulant Balla, Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknurin dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin.
Se çfarë është diskutuar në këtë takim, vetëm protagonistët e tij mund ta dinë me saktësi, por nga formati dhe ‘informaliteti’ i tij mund të hamendësohet lehtësisht se një temë e mundshme bisede të ketë qenë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri dhe emrat që do të kandidojnë.
Në këtë përfundim mbërrihet nga fakti që të tre emrat nga socialistët, pra Balla, Gjiknuri dhe Spiropali u mandatuan nga mbledhja e fundit e Kryesisë së Partisë Socialiste për të udhëhequr negociatat për identifikimin e kandidatit të ri për pasues të Metës në Presidencë.
Alibeaj vetë mohon se ka pasur një takim me Ballën, Spiropalin dhe Gjiknurin. Megjithatë, problemi më i madh nuk është ka pasur apo jo një takim mes tij dhe përfaqësuesve socialiste, por se Alibeaj të paktën publikisht nuk ka marrë asnjë autorizim prej Rithemelimit dhe Sali Berishës për të negociuar Presidentin e ri.
Jo vetëm kaq, por kreu i grupit parlamentar të PD-së është përplasur haptazi me qëndrimin e Berishës sa i takon kësaj teme. Nga Shkodra, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në nder të 4 dëshmorëve të 2 prillit, Sali Berisha e tha prerë se PD nuk do të votojë asnjë kandidat të Edi Ramës për President.
Alibeaj dhe mbështetësit e Bashës, që kontrollojnë ende faqen zyrtare të Partisë Demokratike në internet dhe Facebook iu përgjigjen përmes një reagimi, duke e konsideruar Berishën të përjashtuar nga grupi parlamentar dhe pa tagër për të folur për vendimmarrjen e këtij grupi.
“Qëndrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrëfarë lidhje me qendrimin dhe vendimarrjen e grupit parlamentar. Ata që flasin sot për këtë cështje, në fakt, me ndryshimet kushtetuese të 2008, ia kanë mundësuar Edi Ramës ta zgjedhë, thjesht me vetëm votat e tij presidentin e vendit”, thuhej në reagim.
Berisha vërtet mund të mos ketë tagrin për të folur në emër të grupit, pasi zyrtarisht në Kuvend nuk është pjesë e grupit të PD-së. Por, ish-kryeministri dhe Rithemelimi i themeluar prej tij ka kontrollin de facto të shumicës së grupit parlamentar, çka e bën edhe më kompleks gjithë procesin e negociatave për Presidentin e ri.
E duke vrojtuar në distancë atë që po ndodh në PD, brenda dhe jashtë Kuvendit, socialistët po përpiqen që të gjejnë negociatorët, siç kanë thënë vetëm brenda sallës së Kuvendit, të paktën sa për të kryer një proces formal e procedurial (votat për të zgjedhur vetëm i kanë) të zgjedhjes së Presidentit edhe në sy të ndërkombëtarëve; njëra prej ndërkombëtarëve, Ambasadorja Yuri Kim vizitoi Kryesinë, ku pati një takim me Lindita Nikollën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje