Përfaqësuesit e shumicës dhe ata të opozitës kanë zhvilluar sot takimet e para për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se ka biseduar me përfaqësuesit e grupit “Aleanca për ndryshim”, që drejtohet nga Fatmir Mediu, dhe me kryetaren e grupit “Demokraci dhe integrim”, Mesila Doda. Takimi me kreun e grupit democrat, Enkelejd Alibeaj, është shtyrë ngaqë demokratët nuk e zhvilluan mbledhjen e grupit të tyre.
Nga bisedimet e së mërkurës ka pasur dakordësi mes palëve. Socialistët pranuan propozimin e grupeve të opozitës për të shtyrë me të paktën një javë datën e konferencës së kryetarëve, që shënon nisjen zyrtare të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri. Mbledhja e kryetarëve mund të thirret në datat 4-6 maj dhe votimi i parë mund të bëhet në datat 10-11 maj, sipas dakordësisë edhe me Alibeajn.
Balla ka thënë se me opozitën do të bisedohet dhe për të gjetur një dakordësi mbi kriteret që do duhet të përmbushin kandidatët për president e më pas të diskutohet mbi emra konkretë. Socialistët ndërkohë kanë nisur një proces të brendshëm, duke mbledhur propozime nga deputetët. Ata presin propozime edhe nga qytetarët.
Në pamje të parë duket se ka përpjekjeve për një bashkëpunim mes palëve në këtë proces. Për zgjedhjen e presidentit zhvillohen 5 raunde votimi, ku në 3 të parat kërkohet një shumicë e cilësuar me 3/5-at e gjithë deputetëve, ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, çka u jep mundësinë socialistëve të zgjedhin edhe të vetëm.
Për Mediun Kushtetuta imponon një zgjedhje konsensuale dhe hapësira që, në dy raundet e fundit zgjedhja të bëhet me shumicë të thjeshtë, përbën vetëm një mekanizëm për të shmangur krizat. Ai ka propozuar që opozita të përfshihet në proces me një përfaqësi të vetme, por grupi i Partisë Demokratike nuk ka marrë ende një vendim, madje kjo çështje rrezikon të kthehet në në tjetër motiv përplasjesh.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij janë kundër përfshirjes në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Të mërkurën në mbrëmje, me një postim në Facebook, ai foli për një farsë, duke sulmuar kreun e grupi demokrat Enkelejd Alibeaj, të cilin ai ka deklaruar më herët se nuk e njeh si drejtues të deputetëve të PD-së. “Negociata me opozitën e emëruar apo Basho-opozitën mbasi e ka të qartë se opozita e vërtetë nuk do merrte pjesë kurrë në një farsë vulgare, qesharake dhe mafioze me të cilën Edi Rama do realizojë pushtetin absolut në Shqipëri”, – shkruan Berisha.
Marrë nga VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje