Lulzim Basha thotë se Partia Demokratike do të kundërshtojë formulën e re të koalicioneve të miratuar nga Kuvendi më 5 tetor, por pa sqaruar më tepër se cila do të jetë rruga e zgjedhur nga opozita për këtë çështje.
“Ndryshimi i njëanshëm i formulës së koalicioneve dëmton integrimin dhe do të kontestohet nga PD. Nuk ka formulë ta shpëtojë Edi Ramën nga ndëshkimi i merituar që e pret me votë”, tha Basha në një konferencë për shtyp këtë të shtunë me gazetarët,
Basha përsëriti gjithashtu se plani i opozitës për rimëkëmbjen ekonomike të vendit duhet të vihet menjëherë në zbatim nga Qeveria, ndërsa akuzoi se po fshihen shifrat reale të të infektuarve me Covid.
“Kemi propozuar që pensionistët të marrin një shtesë prej 20 mijë lekësh ne muaj. Sado të fshihen shifrat e të infektuarve, qytetarët e sëmurë nuk fshihen dot. Blerjet me listë në farmaci janë sot rregulli, jo përjashtimi. Po rritet në mënyrë të frikshme numri i njerëzve që marrin ilaçe me listë. Kemi propozuar rimbursimin e plotë të paketës së trajtimit të pacientëve me COVID në kushtet e shtëpisë”, vijoi ai.
Basha akuzon Qeverinë se po injoron kërkesat dhe nevojat bazike të qytetarëve dhe kërkoi një bashkim të madh shqiptarësh për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje. “Shqipëria nuk është një vend i varfër, por i vjedhur dhe i keqqeverisur, si gjatë tërmetit dhe gjatë pandemisë”, vijoi ai.
Kreu i opozitës deklaroi se vetëm me paratë e paguara për afera korruptive, siç i quan ai, të inceneratorëve, mund të ishin siguruar maskat për të gjithë njerëzit në nevojë.
“Që nuk kanë bukë të hanë dhe nga pensionistët, që janë shtresa më e rrezikuar”, tha Basha.
Kryedemokrati u shfaq i bindur kur tha se nëse Rama do të ishte në vend të tij sot, nuk do të paraqiste asnjë propozim për daljen nga kriza, por do të fërkonte duart për të ardhur në pushtet.
“Këto janë dy qasje të ndryshme. Rama po e përdor pushtetin për të dëmtuar shqiptarët dhe për të pasuruar klientët e tij, ndërsa kërkesa ime ultimative është të ndalë këtë sjellje kriminale dhe paratë e shqiptarëve të mos ua japë oligarkëve, por t’ua kthejë shqiptarëve, sepse sot kanë nevojë më shumë se kurrë”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së deklaroi se plani i opozitës për të dalë nga kriza para zgjedhjeve të 25 prillit ishte domosdoshmëri, pasi mendon se gjendja nuk pret.
“Pas 25 prillit, Edi Ramën nuk e pret asgjë tjetër përveç gjykimit qytetar dhe vendosmërisë sime për të bërë të mundur që drejtësia të bëjë të sajën dhe ta ndëshkojë për çdo krim dhe aferë korruptive që ua ka nxirë jetën këto 7 vite. Vetëm ky është shpëtimi i Shqipërisë jo vetëm nga përgjegjësi për këtë situatë, por nga kushdo tjetër që mund të mendojë pas tij se mund të bëjë çfarë ka bërë ai me shqiptarët dhe t’ia hedhë pa lagur”, vijoi Basha.
Basha e njoftoi konferencën pak pasi hodhi votën në procesin e zgjedhjes së kandidaturave për deputetë të Partisë Demokratike, që këtë të shtunë u zhvendos në Tiranë. Pas votimit, kreu i demokratëve komentoi edhe deklaratat e Ramës mbi këtë proces të demokratëve, ku Kryeministri e ka cilësuar farsë.
“Mos prisni që ai të lavdërojë një proces demokratik. Për 22 vite karriera e tij është ngritur mbi parime jodemokratike. ai refuzon t’u bindet rregullave të garës. Ai nuk organizon garë në PS, i ka harruar zgjedhjet. Dje u zhvillua një aktivitet dhe fjalim 3 orësh vetëm për të justifikuar mbajtjen në kryesi të njerëzve që janë në listën e zezë të Departamentit të Shtetit, si Vangjush Dako. Mos më kërkoni mua që të krahasoj të pakrahasueshmen”, u përgjigj Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje