Politika shqiptare është përfshire në një garë të ethshme shifrash për rritje pagash duke prekur sektorin me të sulmuar shëndetësinë.
Ndryshe kur erdhi në pushtet, kryeministri Edi Rama, në kërkim të një mandati të tretë, nisur edhe nga situata e pandemisë, ka premtuar rritje të konsiderueshme pagash për mjekët dhe infermierët, përveç bonusit
Si asnjëherë tjetër, Rama paralajmëroi se ajo nuk do të ishte simbolike 5-7% e pagës aktuale.
Edhe pse shifra konkrete nuk është finalizuar ende, për kryeministrin Rama sfida do të jetë e shpejtë. Ai premton ta përfshijë në buxhet për tu futur në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.
“Duam një rritje pagash të konsiderueshme, ende jemi duke bërë kalkulimet për të finalizuar shumën, përtej bonusit. Po flasim për mjekët dhe infermierët që të jemi në një nivel në mesataren e lartë të Rajonit”, tha Rama në fund të muajit gusht.
Edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, nuk mbetet pas. Në kërkim të një mandati për kryeministër, Basha ashtu si edhe në fund të gushtit, ka nënvizuar edhe njëherë se nëse PD-ja vjen në pushtet rritja për mjeket dhe infermierët do të jetë e konsiderueshme duke përmendur shifra konkrete.
Këtë gjë bëri të martën, i nxitur më shumë nga një deklaratë e së hënës e kryeministrit Rama i cili premtoi rritje pagash edhe për mësuesit.

Basha nuk tha sa i kushton buxhetit të shtetit kjo rritje, dhe si do ta përballojë, por rrumbullakosi 1200 euro në muaj për mjekët dhe 700 euro për infermierët.
“Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë. Ndërkohë që Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8.
Pas 2 mandatesh të qeverisjes së Ramës, mjekët shqiptarë paguhen më pak se në çdo vend të rajonit apo Europës. Sipas një studimi të Institutit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike në Vjenë, mjekët në Shqipëri paguhen mesatarisht 435 euro, që është dhe paga më e ulët në rajon. Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro”.

“Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e personelit shëndetësor, me synim ndalimin e largimit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1195 euro (nga 661 euro më parë), mjeku i përgjithshëm 836 euro (nga 566), kryeinfermierët 621 euro (nga 472) dhe infermierët e parë 537 euro (nga 425 më parë)” radhiti Basha. Sipas tij, gjithçka është e mundur nëse anulohen “koncesionet korruptive”
“Do të rrisim pagat e mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët. Do të mbështesim dhe stimulojmë mjekët që të shërbejnë në zona të ndryshme të vendit ku mungon tërësisht apo pjesërisht personeli shëndetësor. Do të rrisim investimet për aparatura moderne të qendrave shëndetësore dhe spitaleve…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje