Zgjedhjet e 14 majit kanë mbyllur të gjitha shkallët e ankimimeve dhe rezultati i tyre është certifikuar.
Partia Socialiste edhe pse ka pasur një rezultat të lartë duke fituar 53 bashki nga 61 dhe marrë pjesën dërrmuesve të këshillave bashkiakë, në votat proporcionale, ajo ka humbur ndjeshëm votat e elektoratit të saj.
E përkthyer në shifra konkrete rezulton një firo prej 188,509 votash. PS mori si subjekt politik më 14 maj 597,625 mijë vota.
Ndërsa në ato parlamentaret të vitit 2021, kishte gjithsej 768,134 mijë vota.
Edhe pse rëndësia e zgjedhjeve parlamentare nuk është e njëjtë me ato lokalet, (edhe pse Rama i dha peshë të njëjtë fushatës sikur të ishin zgjedhje të përgjithshme) kjo mund të cilësohet si rënie e votës për PS-në për subjekt politik në afro 10 vite, pasi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, PS kishte si subjekt 764,791.
Socialistët mund t’i gëzohen faktit se janë të pakërcënuar nga humbja e pushtetit, pasi përballë tyre ekziston një opozitë e ndarë 3 pjesë e në mos më shumë.
Por nëse mbledhin votat e koalicionit Bashkë Fitojmë, Partisë Demokratike, dhe aleatëve të tjerë dikur si PLL, PAA, PR, Agraret, Fryma e re Demokratike apo dhe LZHK, blloku i djathtë mund të mbërrijë në rreth 500 mijë vota. Nëse e djathta do të jetë e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe shifrat mbesin në këto nivele atëherë do të kishim një luftë të ashpër politike.
PS, e cila përherë në zgjedhjet e fundit ka dalë e vetme në zgjedhje do t’i duhej të dilte në një koalicion politik, pasi PSD e Tom Doshit po pëson një rritje të ndjeshme. Dukshëm ai nuk po lufton të rrëmbejë vetëm votat e PD apo të djathtës së përçarë, por edhe të së majtës.
Nga mbi 35 mijë vota në 2021, PSD ka mbi 86 mijë vota në zgjedhjet e këtij 14 maji. Ndërkohë që në këtë sesion politik me interes pritet të shihet rruga që do të ndjekë PS-ja për reformën zgjedhore, si do të ndryshojë Kodin.
Përflitet se e majta do të kërkojë të përdorë modelin grek, ku ligji zgjedhor parashikon që partia e renditur e para merr edhe votat e atyre subjekteve që nuk futen në Parlament. Kjo ide mund të ndikohet edhe si manovër elektorale për të shmangur ndonjë koalicion bashkëqeverisës, apo ndonjë krizë tjetër politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje