Politike

Zgjedhjet e 25 Prillit, jep dorëheqjen sekretari organizativ i PD, ish-drejtor në qeverinë “Berisha”

Sahit Dollapi ka dhënë dorëheqjen nga posti i Sekretarit Organizativ në Partinë Demokratike, kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Nuk dihen arsyet e dorëheqjes së tij ndërsa në PD ka filluar një proces i gjatë kontestimi i zgjedhjeve konkretisht në 9 qarqe të vendit në një kohë kur PD-ja pritet t’i drejtohet kutisë së votimit në fund të muajit korrik për zgjedhjen e kryetarit pas mbarimit në këtë kohë të mandatit zyrtar të Lulzim Bashës për kryetar partie.

Dorëheqja e Dollapit po qarkullon ndjeshëm në rrjetin mediatik, ndërsa vetë PD-ja nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar mbi këtë lëvizje.

Për shumëkënd që njeh PD, Sahit Dopalli njihet si njeri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ai pati një rol jo fort të vogël gjatë procesit të propozimit të kandidaturave për deputet nga strukturat e PD, proces i cili ai ishte zgjedhur ta mbikqyrte.  

Gjatë qeverisjes së Sali Berishës, Sahit Dollapi ka mbajtur detyrën e drejtorit të UKT-së dhe CEZ-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë