Sali Berisha pritet që të dalë në zgjedhjet e pjesshme lokale me kandidatët “e tij” nga PD-ja zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha. Deri këtu gjithçka dihej por lëvizja e fundit e tij lidhet me mënyrën se si do të dalë në këto zgjedhje dhe si do të regjistrohet në KQZ.
Bëhet fjalë për një koalicion të gjere me gjithë partitë e opozitës përfshi edhe LSI.
Formalitetet konkrete nuk janë përcaktuar ende por e sigurt është që kandidatët që do të propozohen nga baza do të dalin me sigël dhe një emër të ri koalicioni.
Më herët ishte Agron Duka që tha se kishte marrë një ftesë nga Berisha duke lënë mundësinë e bashkëpunimit me të. Bisedat dhe negociatat kanë filluar dhe burimet thanë se brenda tre ditëve do të finalizohen teknikalitetet e koalicionit.
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Genc Pollo deklaroi të mërkurën në mbrëmje se negociatat po vijojnë dhe se ditët në vijim do të përcaktohet sigla dhe emri i këtij koalicioni.
“Çështja e kandidatit tonë do të zgjidhet me shpalljen e marrëveshjes pas 2-3 ditësh me një front më të gjerë opozitar. Kjo marrëveshje do të përcaktojë edhe siglën edhe emrin e koalicionit dhe detaje të tjera që janë teknike. Po të ishin zgjedhje për këshillat bashkiakë nuk do kishim ndonjë debat në këtë studio. Ne kemi një zgjedhje që është mazhoritare dhe që edhe 5 vota po të heqin rrezikon mandatin e kryetarit të bashkisë. Cila është zgjidhja që të mos ketë përçarje votash? E para është një koalicion i gjerë që përfshin edhe aleatët tradicionalë edhe LSI që janë të gjitha partitë relevante në opozitë. E dyta, kemi një zgjidhje të re për të bashkuar aty ku vite më parë edhe mund të ketë pasur përçarje, kemi primare.
Pra nëse PD e 11 dhjetorit ka një afërsi dhe po punon me aleatët tradicionalë që përfaqësohen dhe me deputetë me LSI ka një problem me fraksionin e mbetur. Por nëse ka kandidatë të mirë të zotë që janë të afërt me Bashën fare mirë mund të kandidojnë në primare dhe nëse një prej tyre do të fitojë do të marrë të gjithë mbështetjen e opozitës së bashkuar. Ne po tentojmë një zgjidhje që merrem mendimin e tyre që do të qeverisen nga kryebashkiakët. Nëse ka kandidat me potencial që vijnë nga fraksioni i Bashës duhet të futen në primare, siç mund të vijnë dhe nga partitë e tjera”, u shpreh Genc Pollo në emisionin “Debat” në A2CNN.
Ndërkohë, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit ka vendosur zyrtarisht hapjen e procesit të primareve brenda PD për përzgjedhjen e kandidaturave për secilën nga bashkitë në garë.
“Nga sot, në të gjitha bashkitë ku do të hapet gara Partia Demokratike fillon punën për evidentimin e kandidatëve. Procesi i përzgjedhjes do të finalizohet me datë 30 Janar 2022 sipas parimit “të Primareve”.
Në përputhje me statutin e PDSH neni 12 dhe 38 kandidatët mund të evidentohen: Me vetëpropozim; Propozim nga anëtarësia; Propozim nga organet qëndrore të PDSH. Kandidatët duhet të jenë personalitete me autoritet të lartë politik profesional dhe shoqëror.
Dokumentacioni i nevojshëm duhet të paraqitet pranë Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD dhe duhet të përmbajë CV profesionale dhe politike të kandidatëve si dhe formularin e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës së kanditatit. Afati për paraqitjen e kandidaturave është deri në datën 24 Janar”, thuhet në njoftimin e Komisionit.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta la të kuptoje se data 6 mars ishte dita e mundshme për zgjedhjet e pjesshme lokale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje