Ne rrjet

Zgjedhjet në Maqedoni, goditje e fortë për Zoran Zaev. BDI fiton 3 komuna

Opozita maqedonase ka shpallur fitoren në zgjedhjet vendore të së dielës, duke marrë në raundin e parë 20 komuna dhe shkuar në balotazh me epërsi në të paktën 20 komuna të tjera. Kjo sugjeron se VMRO-DPMNE mund të qeverisë më shumë se gjysmën nga 80 komunat totale të vendit.

Ndërkohë, në përplasjen mes partive shqiptare beteja ka qenë mes Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit dhe koalicionit të udhëhequr nga Zijadin Sela mes Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativës.

Ali Ahmeti shpalli fitoren në raundin e parë në tre komuna dhe tha se udhëheq për në raundin e dytë në nëntë të tjera.

“BDI-ja zgjedhjet në rrethin e parë i ka fituar në komunat e Sarajit, Likovës dhe Pllasnicës, ndërsa në rrethin e dytë udhëheq në komunat e Tetovës, Çairit, Kërçovës, Strugës, Zhelinës, Tearcës, Bogovinës, Haraçinës e Dollnetit”, tha kreu i BDI-së.

Zijadin Sela deklaroi fitoren në Dibër e Gostivar dhe tha se koalicioni i drejtuar prej tij është në balotazh në pesë komuna të tjera. Por, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sugjeron nga të dhënat e publikuara deri më tani se edhe Dibra e Gostivari do të shkojnë në balotazh.

Nga të dhënat e deritanishme, opozita maqedonase VMRO-DPMNE rezulton fituese në 20 komuna, ndërsa kreu i kësaj partie, Hristjan Mickovski deklaroi fitoren në 22 të tilla. Në Shkup, në epërsi është kandidatja e pavarur, Danella Arsosvaka, që mbështetet nga VMRO përballë kandidatit të LSDM-së, Petre Shilegov.

“Kjo është një fitore e madhe e popullit të Maqedonisë. Është një fitore e të rinjve, e të moshuarve, burrave e grave të këtij vendi, e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësinë e tyre etnike, fetare apo profesionale. Pavarësisht të gjitha parregullsive, presioneve e veprimeve të shumta kriminale, ka fituar populli. Populli mori fatin në duart e tij. E ardhmja e re ka ngadhënjyer mbi të kaluarën, ka fituar mbi ndasitë”, ka deklaruar Mickovski.

Zoran Zaev reagoi vetëm në orët e para të mëngjesit. Ai tha se rezultati është një mesazh që më shumë punë duhet bërë, ndërsa kërkoi që në balotazh të bashkohen të gjitha forcat e majta për të parandaluar, siç e quajti “rikthimin e së keqes në pushtet”.

“Ne e morëm mesazhin e qytetarëve. Ata presin edhe më shumë punë… LSDM-ja hyn në rrethin e dytë në 36 komuna, përfshirë qytetin e Shkupit. Në raundin e dytë do të bashkohen të gjitha forcat progresive nga koalicioni me të cilin jemi në pushtet për ta mundur të keqen e këtij vendi”, ka deklaruar Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë