Politike

Zgjedhjet në PD nisin me përjashtime, Gjana: Kush bëri fushatë për partitë e tjera s’ka vend. Shehaj, listë “blof”

Kryetari i Komisionit Zgjedhor për kreun e PD-së, Jemin Gjana, njoftoi përmes një konference për shtyp se, të gjithë ata anëtarë të partisë që kanë punuar për parti të tjera jashtë PD-së gjatë fushatës së fundit zgjedhore, do të përjashtohen.

Selektimi do të bëhet nga vetë organet zyrtare të partisë, ku secili anëtar gjatë votimit të dielën duhet të dorëzojë kartën e anëtarësisë.

Pas një muaji atyre do tu jepet një kartë e re pasi të jetë e regjistruar në sistem.

Ky post-proces do të ndiqet nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

“Janë përcaktuar kush konsiderohen vota të vlefshme dhe të pavlefshme si edhe është miratuar udhëzimi për votimin e anëtarëve të PD të cilët nuk e kanë emrin në lista, por disponojnë dokument anëtarësie. Nuk do u mohohet kjo e drejtë, por do ketë disa kushte dhe disa përjashtime. Kushtet do të jenë që do të paraqiten pranë qendrave me dokumentin e anëtarësisë dhe me kartën e identitetit. Komisioni ka për detyrë që të regjistrojë në një formular të posaçëm emrin, atësinë dhe mbiemrin, nr e identifikimit, nr e telefonit dhe të marrë firmën dhe kartat e anëtarësisë do të mbeten te Komisioni që do i depozitojë në Komision bashkë me materialet e tjera.

Këto karta në një procesverbal të posaçëm do ua dorëzoj Sekretarit Organizativ që brenda 1 muaji do i regjistrojë në sistem, të nxjerrë kartat e reja dhe t’i pajisë me kartat e reja të anëtarësisë dhe më pas do i kthejnë dokumentin e vjetër. Përjashtohen ata anëtarë që në fushatën e fundit zgjedhore kanë qenë anëtarë, komisionerë, vëzhgues apo aktivistë të partive të tjera jashtë koalicionit të PD me aleatët”, tha Gjana.

Ai njoftoi gjithashtu se vetëm Lulzim Basha ka dorëzuar emrat e anëtarëve të Komisioneve në garën për kreun e PD,

“Përfaqësuesit e kandidatëve të tjerë nuk kanë sjellë asnjë emër që do i përfaqësojë në 76 komisionet e votimit. Është zhvilluar një diskutim i gjatë, madje njëri nga kandidatët, Shehaj dorëzoi pardje një listë që pasi e verifikuam rezultuan se askush prej tyre nuk ishte anëtar i PD, është një listë blof, e papranueshme të bëhen lojëra të kësaj natyre.

Plotësimi i komisioneve me përfaqësues të kandidatëve është e drejtë, jo detyrim. Nëse duan ta shfrytëzojnë, deri më tani po e zvarrisin përtej çdo kufiri dhe mbrëmë e kam bërë të qartë, asnjë emër nuk mund të shkojë në Komision pa u verifikuar nga Komisioni Zgjedhor.

Ne do presim deri në minutat e fundit, por në asnjë rast nuk do të delegohet pa bërë verifikimet”, tha Gjana.

Në garën për kryetar janë  Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.

Të drejtë vote kanë rreth 75 mijë anëtarë që do të votojnë në 76 qendra votimi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë