Politike

Zgjedhjet, PS firmos koalicionin me 24 aleatët

Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshjen me 24 aleatët e saj për zgjedhjet e ardhshme lokale, për krijimin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ASE.
Pra, Partia Socialiste do të shkojë në koalicion në zgjedhjet e 30 qershorit. Por, ndryshe nga 2015, nuk do të identifikohet si “ASHE”, por “ASE”.
Në dokument thuhet se partitë nënshkruese formojnë me vullnet të plotë politik Koalicionin Zgjedhor “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe se objektivi i Koalicionit është fitorja e zgjedhjeve administrative të 30 qershorit 2019.
Në këtë marrëveshje Partia Socialiste garanton se do të përfshijë në administrimin qeverisës çdo individ me nivel të lartë profesional dhe moral që ka kontribuar politikisht në radhët e këtij koalicioni.
PS kërkon nga aleatët që të garantojnë mbështetjen për Programin politik dhe projektet vendore që ajo premton të realizojë gjatë qeverisjes lokale 2019-2023.
Po kështu theksohet se dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ‘96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Partitë pjesë e koalicionit “ASE” janë:
1- Partia Socialiste e Shqipërisë
2- Partia Demokracia Sociale e përfaqësuar nga Paskal Milo
3- Partia Social Demokrate e përfaqësuar nga Skënder Gjinushi
4 -Aleanca Arbnore Kombëtare e e përfaqësuar nga Gjet Ndoj
5- Aleanca Demokratike e e përfaqësuar nga Eduard Abazi
6- Aleanca e Maqedonasve për integrimin Europian e përfaqësuar nga Edmond Themelko
7- Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane e përfaqësuar nga Valentino Mustaka
8- Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet e përfaqësuar nga Gaqo Apostoli
9- Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen e përfaqësuar nga Kristo Kiço
10- Partia Aleanca Popullore e përfaqësuar nga Artur Dojaka
11- Partia Ardhmëria Shqiptare e përfaqësuar nga Emin Subashi
12- Partia Demokracia e Re Europiane e përfaqësuar nga Koçi Tahiri
13- Partia Demokrate për Integrimin e Prosperitetit e përfaqësuar nga Kujtim Muça
14- Partia e Gjelbër e e përfaqësuar nga Edlir Petani
15- Partia e Pajtimit Kombëtar e përfaqësuar nga Spartak Dobi
16- Partia e Reformave Demokratike Shqiptare e përfaqësuar nga Skënder Halili
17- Partia e të Drejtave të Mohuara e e përfaqësuar nga Ilir Vata
18- Partia Uniteti Kombëtar e përfaqësuar nga Idajet Beqiri
19- Partia G99 e përfaqësuar nga Redi Shtino
20- Partia Kristian Demokrate e përfaqësuar nga Dhimitër Myslia
21- Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare e përfaqësuar nga Genci Sakaj
22- Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve e përfaqësuar nga Ymer Kurti
23- Partia Socialiste e Moderuar e përfaqësuar nga Gjergji Koja
24- Partia Socialpunëtore shqiptare e përfaqësuar nga Ramadan Ndreka

Balla: Në koalicion me PS gjysma e partive të regjistruara në KQZ, zgjedhjet do bëhen

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat tha se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me 24 aleatët, Balla tha se pjesë e këtij koalicioni është gjysma e partive që janë regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
“Në respekt të afateve të përcaktuara nga Kodi zgjedhor sot kemi përmbyllur me 23 parti një marrëveshje për krijimin e ASHE. Kemi ruajtur të njëjtin emër të koalicionit me të cilin kemi fituar zgjedhjet e 2013, 2015, 2017 dhe më të cilin do fitojmë edhe zgjedhjet e 2019 në të gjitha bashkitë e vendit. Kjo Aleancë është gjysma e partive që marrin pjesë në zgjedhje. Jam i sigurt se do ketë aleanca e koalicione të tjera. Nuk kam asnjë koment për aleanca që ngrihen mbi parimin e kundërshtimit të votës. Partitë kanë për detyrë të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Balla.

I pyetur nëse PS do të marrë pjesë në një tryezë të iniciuar nga presidenti Meta, Balla theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen.
“Mandati i parlamentit është tejet legjitim. Ka qenë shumë i qartë qëndrimi i SHBA-ve përmes Palmer, apo dhe qëndrimi i BE, i cili nxit të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet janë të gjithëpranuara me këdo që merr pjesë dhe ajo që është shumë e rëndësishme, ritheksoj dhe njëherë se nuk ka asnjë forcë politike që mund të tentojë të bllokojë zgjedhje të lira”, tha ndër të tjera Balla.
Balla shtoi se nuk do të ketë negociata me askënd në kurriz të Kushtetutës.
Kush mendon se mund të marrë pushtet në tavolinë, apo ta përdorë kushtetutën a kodin zgjedhor si një alibi për humbjen e radhës e ka shumë gabim. Nuk ka negociata me askënd mbi kurrizin e Kushtetutës. Siç bën gabimin për dorëzimin e mandateve, tani jemi në fazën që Lulzimi dhe Monika duan t’iu heqin të drejtën qytetarëve për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive. Parashikimet e Kodit Penal për ata që pengojnë zgjedhësit janë shumë të qarta”, deklaroi Balla.
Ndërkohë i pyetur se përballë kujt do konkurrojë ASHE në zgjedhje, Balla shprehet se partitë konkurrojnë për të marrë besimin e popullit dhe se janë plot 42 parti.
“Në zgjedhje partitë konkurrojnë për të marrë besimin e popullit. Ne konkurrojmë për të rikonfirmuar besimin e marrë në 2017 tani për t’u rikonfirmuar në qeverisjen vendore. Janë 42 parti, merrni regjistrimet në KQZ. Dhe pyeteni ç’qëndrim kanë, unë flas në emër të koalicionit për Shqipëri Europiane”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë