Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht votimi për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Sipas ligjit, votimi do të vijojë vetëm në ato qendra votimi ku ka prezencë të votuesve.
Qendra e votimit qëndron e hapur deri kur të mbarojë edhe zgjedhësi i fundit që është në rradhë. Ndërsa në qendrat e tjera ku nuk ka votues, votimi konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Mbi 3.6 milionë qytetarë ishin thirrur për të votuar në këto zgjedhje. Për të zgjedhur në krye të 61 bashkive, në garë ishin 144 kandidatë.
Në 61 bashkitë e vendit ishin hapura 5213 qendra votimi. Mbi 500 qendra votimi shfaqën probleme teknike me identifikimin biometrik, duke shkaktuar vonesa në votime.
Pas marrjes së vendimit për mbylljen e votimit, kryetari së bashku me anëtarët e KQVsë shënon numrin e zgjedhësve që kanë votuar, bazuar në nënshkrimet e bëra në listën e zgjedhësve, si dhe atyre që janë në regjistrin e posaçëm; ia deklaron shifrën me zë të lartë anëtarëve të tjerë të KQV-së dhe vëzhguesve të pranishëm; fton ata të verifikojnë shifrën e thënë prej tij; dhe urdhëron sekretarin e KQV-së të shënojë në Procesverbalin për Mbylljen e Votimit dhe në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së numrin e personave që kanë votuar në qendrën e votimit.
Në rast kundërshtimesh për përcaktimin e shifrës, pretendimet shënohen në procesverbal. Sekretari i KQV-së shënon pretendimin në Procesverbalin për Mbylljen e Votimit dhe në Librin e Protokollit të Mbledhjeve.
Kryetari, nën vëzhgimin e të gjithë anëtarëve të KQV-së, pasqyron në Procesverbalin për Mbylljen e Votimit dhe në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së, numrin e plotë të fletëve të votimit të qendrës së votimit, duke u bazuar tek të dhënat që kanë shoqëruar marrjen në dorëzim të fletëve të votimit nga KZAZ-ja.
Kryetari, nën vëzhgimin e të gjithë anëtarëve të KQV-së, fillon numërimin e fletëve të votimit të papërdorura dhe në përfundim të numërimit ia bën të ditur shifrën anëtarëve të KQVsë. Nëse kërkohet nga një anëtar i KQV-së ose ndonjë nga vëzhguesit, kryetari është i detyruar të rifillojë edhe një herë numërimin e fletëve të votimit të papërdorura. Në përfundim të numërimit, fletët e votimit të papërdorura mbyllen në zarfin ku është shënuar “FLETË VOTIMI TË PAPËRDORURA”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje