Bota

Zgjedhjet vendore në Itali, edhe emigrantë shqiptarë në garë për këshillat bashkiakë

Këtë të diel dhe të hënën (4 tetor),  në Itali zhvillohen zgjedhjet lokale në më shumë se 1.000 komuna, ku për të votuar janë thirrur më shumë se 12 milionë qytetarë.

Ish-kryeministri Giuseppe Conte, i cili mori drejtimin e lëvizjes së djathtë  “5 Yjet”, ka bërë një fushatë të gjerë në disa rajone.

Ai është kundër udhëheqësit anti-emigrant, të së djathtës ekstreme, Mateo Salvini, partia e të cilit “Lega Nord” duket se ka pësuar rënie në sondazhe.

Por të gjithë sytë janë drejtuar në garën për kryeqytetin Italian, Romë, ku kryebashkiakja aktuale, Virginia Raggi po përballet me një sërë kritikash, pasi metropoli është pushtuar nga plehrat.

Shqiptarja Silvana Xheneti, në garë për këshilltare komune në rajonin e Aburcos

Ashtu si dhe në zgjedhjet politike të viteve të mëparshme, edhe në këto votime në Itali, emigrantët shqiptarë janë pjesë e garës për këshillat bashkiakë, duke përfaqësuar forca të ndryshme politike.

Silvana Xheneti, e cila jeton në Itali do të garojë për të qenë këshilltare komune në Roseto degli Abruzzi. Pak ditë më parë, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ajo ka bërë me dije kandidaturën e saj, duke shtuar se do të jetë në mbështetje të Sabatino Di Girolamo.

Në kryeqyterin italian Romë kandidatë për këshillin Bashkiak të qytetit garojnë dhe shqiptarët Eligert Hima, Edmond Godo, Laureta Ndreca, Edmir Binoshaj.

Në Savona, mes listave të kandidatëve per këshilltarë bashkiakë të forcave të ndryshme politike, janë dhe Fluturim Ismailisufaj, Rigers Adriano Lamaj dhe Enilda Omeni.

Në komunë e Kazertas kandidon shqiptarja Irma Halili dhe në atë të Centos në provincën e Ferraras, kandidon Rozeta Karaj.

Në komunën Cellino San Marco të Brindizit, kandidat për këshilltar bashkiak është shqiptari Pullumb Isteri. Në Bolonja kandidon për këshill bashkiak shqiptari 30- vjeçar, Detojn Begaj.

Italia voton për zgjedhjet vendore në 1.157 komuna, në të cilat 12 milionë italianë do të votojnë për kryetarët e komunave si dhe për këshilltarët bashkiakë.

Në Milano janë 13 kandidatë për kryetarë bashkie, në Romë janë 21, në Torino janë 13, në Trieste janë 10, në Napoli 7 kandidatë për kryebashkiakë, në Kozenca janë 8, në Rimini 6, etj..

Zgjedhjet vendore do të mbahen më 3 e 4 tetor, disa muaj me vonesë nga data e paracaktauar në pranverën 2021, që u shtynë për shkak të pandemisë Covid 19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë