Politike

“Zgjerimi” i vakët te deklarata e Bërdosë; BE ofron 30 mld euro, por jo afate për anëtarësim

Samiti i Sllovenisë mes Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u përmbyll me një deklaratë përfundimtare formale të gjatë, pa afate për zgjerim e anëtarësim, por të përqëndruar më shumë në bashkëpunimin ekonomik dhe reformat.

Deklarata me thuajse 30 pika, ndahet në katër kapituj. Në kapitullin e parë theksohet zotimi i BE për “perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor” dhe premtimi i këtij të fundit për “besnikëri” ndaj BE. Në këtë pjesë të deklaratës përmendet për herë të parë dhe të vetme në këtë deklaratë fjala zgjerim.

“BE-ja konfirmon angazhimin e vet në procesin e zgjerimit dhe vendimet e marra prej saj për këtë, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe parimi i meritave të veta. Ne do të intensifikojmë më tej angazhimin tonë të përbashkët për të çuar përpara transformimin politik, ekonomik dhe social të rajonit, duke njohur ndërkohë progresin e bërë nga Ballkani Perëndimor. Ne kujtojmë gjithashtu rëndësinë se BE-ja të mund të mbajë dhe thellojë zhvillimin e saj, duke siguruar kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj”, thuhet në deklaratë.

“Partnerët e Ballkanit Perëndimor përsërisin përkushtimin e tyre ndaj vlerave dhe parimeve europiane dhe realizimit të reformave të nevojshme në interes të popujve të tyre”, zotohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

BE bën thirrje që të gjitha mosmarrëveshjet në rajon, si ajo mes Kosovë dhe Serbisë, ashtu edhe ajo mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të zgjidhen me marrëveshje dypalëshe.

Kapitulli i dytë i kushtohet luftës kundër pandemisë dhe bashkëpunimit në këtë sektor. Këtu, BE thekson shumën 3.3 miliardë euro të vënë në dispozicion për Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën dhe zotohet që t’u qëndrojë edhe në të ardhmen këtyre vendeve.

Kapitulli i katërt lidhet me planin ekonomik të investimeve të BE në Ballkanin Perëndimor. Këtu thuhet se paketa e vënë në dispozicion nga Brukseli është rreth 30 miliardë euro, ose sa një e treta e GDP-së së rajonit. Ajo përbahet nga 9 mld euro financime me grante dhe 20 mld të tjera investime.

“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor bien dakord të shtojnë përpjekjet për të rritur integrimin e tregut të Ballkanit Perëndimor me Tregun e Përbashkët të BE-së. Në këtë aspekt, PEI-a siguron një bazë solide për të vënë në funksionim integrimin e tregut të rajonit brenda Tregut të Përbashkët të BE-së, veçanërisht në fusha të tilla si pagesat ndërkufitare (SEPA), mallrat industriale dhe të konsumit, tregtia elektronike dhe doganat”, thuhet në deklaratë.

Kapitulli i fundit lidhet me bashkëpunimin politik dhe në fushën e sigurisë. Këtu, BE kërkon nga vendet e rajonit që të përputhin qëndrimet e politikës së jashtme me atë të Brukselit. Në këtë drejtim, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë kryer këtë proces, ndërsa Serbia e Bosnja ende jo. Pa i përmendur në emra, BE nxit këto dy vende që të njësojnë politikën e jashtme me atë të unionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë