Partia Demokratike ka bërë një hap pas në propozimin e saj mbi mënyrën e zgjedhjes së Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe KAS-it, duke paralajmëruar në këtë mënyrë mundësinë e zgjidhjes së ngërçit tre ditor mes partive kryesore ne vend për “zgjedhoren”.
PD-ja i është rikthyer marrëveshjes së datës 5 Qershor me PS-në, që zgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ-së të zhvillohet ekskluzivisht në Kuvend, pa përfshirjen e institucioneve të tjera të pavarura. Pra, me propozimin e fundit, (që gazeta ‘Si” disponon) PD-ja, ndryshe nga një ditë më parë, ka përjashtuar nga procedura e përzgjedhjes Avokatin e Popullit, duke iu kthyer propozimit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj nga Kuvendi edhe pse ajo dhe LSI nuk janë pjesë e saj.
Për zgjedhjen e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe KAS-it, PD-ja ka propozuar 11 hapa konkrete që fillon me shfaqjen e interesit për tu futur në garë e deri tek votimi në Kuvend i anëtarëve të KQZ-së.
PD-ja ka bërë një hap pas edhe për kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të KQZ-së. PD-ja propozon që të ruhet kohëzgjatja e dakordësuar mes palëve politike; Komisioneri dhe Zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë; ndërsa anëtarët e KAS të kenë mandat 6 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.
“Për këtë arsye, në nenet 13 dhe 16 të draftit të para datës 5 Qershor, të bëhen ndryshimet si më poshtë vijon:
A. Në nenin 13, paragrafi 1, ndryshohet si vijon:
“1. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 4 vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj”.
Në nenin 16, paragrafi 1, ndryshohet si vijon:
“1. KAS-i përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 6 vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.”, thuhet në propozimin e ri të PD-së.
Lidhur me shumicën për vendimmarrje, PD-ja propozon që secila palë duhet të ruajë garancitë aktuale dhe të mos zhbëhet një standard i arritur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje