Një nëndetëse indoneziane me 53 persona në bord është zhdukur në veri të Balit. Autoritetet në Xhakarta kanë nisur kërkimet dhe kërkuan ndihmë nga Singapori dhe Australia.
Lajmi u dha nga faqja e inteligjencës dhe informacionit ushtarak “Janes” dhe u konfirmua nga krerët e marinës. Nëndetësja e prodhimit gjerman, “KRI Nanggala-402”, ishte e angazhuar në stërvitje detare, por nuk dha rezultate siç pritej.
Stërvitja kishte përfshirë lëshimin e disa silurëve. “Jemi në kërkim të saj, – tha admirali i parë, Julius Widjojono. – Ne e njohim zonën, por është mjaft e thellë”.
Kërkimet janë aktualisht duke u përqendruar në një zonë detare 90 kilometra larg ishullit indonezian, i njohur si një destinacion turistik.
Kontakti me njësinë detare, u ndërpre në orën 4.30 të mëngjesit me kohën lokale.
“KRI Nanggala-402”, u prodhua në Gjermani në vitin 1978, por kishte kaluar një rinovim të gjatë në një kantier detar të Koresë së Jugut në 2012-ën, sipas informacioneve të marinës indoneziane.
Hadi Tjahjanto, komandanti i Marinës Indoneziane, i tha agjencisë “Kompas”, se kontakti me nëndetësen humbi menjëherë, pasi kjo e fundit mori autorizimin për një zhytje të thellë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje