Bota

Zjarr në një shkollë me dru dhe kashtë në Niger, të paktën 26 fëmijë të vdekur

Tragjedi në Nigeri, ku raportohet se të paktën 26 fëmijë humbën jetën nga zjarri në shkollën e tyre me kashtë dhe dru. Ngjarja ka ndodhur në Maradi në jug të vendit. “Është një zjarr që ka shkatërruar një shkollë, por ende nuk kemi një bilanc përfundimtar”, tha Issoufou Arzika, sekretar i përgjithshëm i sindikatës së mësuesve.

Bilanci i zjarrit që ra në shkollë është i tmerrshëm. Përveç 26 viktimave të konfirmuara, janë rreth 80 fëmijë që kanë mbetur të lënduar nga djegiet. Guvernatori rajonal Chaibou Aboubacar, i tha agjencisë së lajmeve Dpa se shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.

Flakët shkatërruan tre klasa të shkollës Afn, një ndërtesë prej druri dhe kashte në qendër të qytetit jugor Maradi, kryeqyteti ekonomik i Nigerit.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në vendngjarje, të ndihmuar nga policia dhe banorët e zonës.

Nigeri, me 25 milionë banorët e tij, është një nga vendet më të varfra në botë dhe sipas të dhënave të OKB-së, ka një nga nivelet më të ulëta të shkrim-leximit në Afrikë.

Shkollat ​​janë të pamjaftueshme dhe shpesh ato janë ndërtesa të pasigurta prej druri, kashte dhe llamarine.

Në disa zona rurale, mësimet zhvillohen jashtë, nën hijen e pemëve. Vitin e kaluar, 20 fëmijë vdiqën në një tjetër zjarr në shkollë në Niamey, kryeqytet. Autoritetet më pas shpallën një plan ndërtimi të shkollave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë