Ka ndodhur

Zjarret, ekspertë amerikanë mbërrijnë në Shqipëri në mbështetje të FA-ve

Në mbështetje të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve, ekspertë amerikanë të luftës kundër zjarreve kanë mbërritur këtë fundjavë në Shqipëri.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, përmes një postimi në Facebook, shpreh keqardhjen për dëmet që po shkaktojnë flakët në jug.

Ambasada kujton se nga SHBA-të janë dhuruar pak kohë më parë edhe kova uji për helikopterë, veshje për zjarrfikësit, dorashka, pajisje mbrojtëse.

Diplomatja thekson se SHBA dhe Shqipëria janë më të forta së bashku dhe në këtë situata me zjarret ato do të jenë sërish krah për krah.

“Si të gjithë në Shqipëri, Ambasada Amerikane është e trishtuar nga shkatërrimi i shkaktuar nga zjarret në jug. Në përgjigje, ekspertët amerikanë të shuarjes së zjarrit mbërritën këtë fundjavë për të mbështetur përpjekjet e Forcave të Armatosura Shqiptare, – shkruan ambasadorja. – Përveç kësaj ndihme nga USAID, pajisjet e dhuruara më parë nga SHBA përfshirë “kova Bambi” për helikopterë, kostume zjarrfikëse, sëpata, lopata, pajisje mbrojtëse personale, etj. po përdoret tani për të mbrojtur jetën, shtëpitë dhe bizneset shqiptare. Të fortë së bashku dhe  krah për krah”.

Një ditë më parë, në ndihmë erdhën edhe 2 helikopterë nga Holanda dhe një nga Çekia në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE, që prej dy ditësh po punojnë për shkuarjen e flakëve.

Aktualisht në vend vatrat më problematike janë ato në Dukat dhe Karaburun në Vlorë dhe zjarri në Majën e Rrunës në Kukës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë