Vjen edhe zyrtarizimi nga UEFA. Finalja e Ligës së Kampionëve mes Mançester Sitit dhe Çelsit do të luhet 29 maj në stadiumin “Do Dragao” të Portos. Bie poshtë kështu për herë të dytë Turqia, ku fillimisht ishte programuar që ndeshja të luhej stadiumin “Ataturk” të Stambollit. Pritet ndërkohë që finalja të ndiqet nga afër nga tifozët, me 6 mijë bileta në dispozicion të secilit prej klubeve që do të diskutojnë trofeun prestigjioz.
Javët e fundit, kur pista turke dukej gjithmonë e më larg, ishte folur edhe për sportimin e finales në “Wembley”, duke qenë se përplasen dy skuadra angleze. Por UEFA nuk ka marrë garancinë e nevojshme nga qeveria britanike dhe për këtë vendosi që ndeshja të zhvillohet në Portugali, ku autoritet vendëse kanë ofruar siguri të plotë menjëherë. Portugalia ka qenë e qartë edhe për praninë e tifozëve anglezë.

Niveli i lartë i infektimeve dhe vdekjeve që po regjistron aktualisht Turqia e bënte të pamundur praninë e tifozëve të dy klubeve të Premier Ligës në stadiumin “Ataturk”. Po ashtu, normat aktuale në Britaninë e Madhe për udhëtimet ndërkombëtare imponojnë një karantinë 10-ditore në një hotel të aprovuar nga qeveria për ata që vijnë nga Turqia.
Në këtë pikë nisën tentativat e qeverisë britanike për ta spostuar finalen në “Wembley”. Por përballë pamundësisë për të mbajtur rreth 2 mijë të ftuar të UEFA-s, drejtues dhe sponsor, në karantinë të detyruar sapo ata të shkonin në Angli, qeveria e futbollit europian zgjodhi Portugalinë. Një vend ky që në Londër është futur në listën jeshile, nga ku mund të kthehesh në Britaninë e Madhe pa masa shtrënguese. Do të jetë kështu “Estadio do Dragao” që do të presë finalen me 12 mijë tifozë. Është viti i dytë radhazi që Portugalia pret finalen e Ligës së Kampionëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje