Politike

Kurti e Mustafa firmosin marrëveshjen, VV referendum për qeverinë e re

Pas katër muajsh negociatash, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti dhe kreu i Lidhjet Isa Mustafa kanë nënshkruar sot zyrtarisht marrëveshjen për formimin e qeverisë.

Në një konferencë për media, kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe partneri i tij i koalicionit njoftuan arritjen e marrëveshjes, sipas të cilës LDK-ja merr postin e kryetarit të Kuvendit.

 Kurti, ka paralajmëruar se sot do të nisë referendumi në partinë e tij për të aprovuar marrëveshjen e arritur me LDK-në për formimin e qeverisë. Duke folur krah Mustafës, ai ka thënë se Vetëvendosje ka filluar përgatitjet për referendum partiak.

“Punët kanë nisur për referendumin në Vetëvendosje. LDK do ta çojë marrëveshjen në Këshillin e Përgjithshëm. Kështu e parashikojnë rregullat e partive tona”, ka thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje është e detyruar të organizojë referendum për cdo marrëveshje për bashkëqeverisje.

Bazuar në të dhënat e VV-së janë mbi 40 mijë anëtarë të kësaj partie që do të japin votën e tyre pro apo kundër që Albin Kurti për marrëveshjen e arritur sot me LDK-në pas një beteje 120 ditore.

“Ky referendum do të përfshijë të gjithë aktivistët, të organizuar në të gjitha Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.Ju bëjmë ftesë të gjithë aktivistëve që të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre!”, thotë VV në një njoftim.

Referendumi do të përfundojë brenda ditës në mënyrë që lideri i VV-së të shkojë nesër në parlament me aprovim partiak.

“Na ndajnë vetëm një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës, kur do të zgjedhim qeverinë e re. Sot u takuam me kryetarin e LDK-së profesor Isa Mustafën dhe ramë dakord që të takohemi edhe nesër në një seancë për të zgjedhim qeverinë e re. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen jemi dakordësuar për te gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re ku do të bashkë-qeverisim”, është shprehur Kurti.

I pyetur nëse kryetari aktual i Kuvendit, Glauk Konjufcka, një nga njerëzit më të besuar të Albin Kurtit, do të dorëhiqej, kreu i VV-së konfirmoi lajmin.

“Ne kemi rënë dakort që kryetarin e kuvendit do ta propozojë VV por do të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, u shpreh Kurti. Konjufcka do të japë dorëheqjen por do jete pjesë e ekzekutivit”.

“Ne kemi arritur marrëveshje. Besoj se është një marrëveshje e mirë, është në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin domosdoshmërish në vendin tonë. I kemi hulumtuar të gjitha alternativat dhe mundësitë. Ajo që dëshirojmë në të ardhmen është që kjo qeveri të jetë e suksesshme”, u shpreh nga ana tjetër Mustafa.

Dy partitë do të mbledhin organet vendimmarrëse  brenda ditës së sotme që të miratojnë marrëveshjen.

Sipas kësaj marrëveshjeje, VV pritet të udhëheqë 6 ministri, aq sa dhe LDK-ja. Ndërkaq, 3 ministri do t’i takojnë komuniteteve. “ Qeveria do të ketë dy zëvendëskryeministra dhe rreth 33 ministra dhe zëvendësministra”, njoftoi Kurti, edhe pse në fillim të këtyre bisedimeve kishte premtuar uljen e numrit të ministrive në 12.

 “Synimi për të pasur 12 ministri ka qenë i drejte, por kemi analizuar strukturat e minstrive përkatëse dhe kemi arritur në përfundimin se krijimi i disa ministrive ka kosto më të mëdha sesa ulja numrit të tyre”, tha ai, duke u ndalur më pas tek negociatat e gjata me LDK-në. “Ka patur vonesa se interesimi ka qenë i madh. Deri me 26 dhjetor ka qenë e pamundur të arrihej diçka.”

“Çështja e presidentit nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje”, tha nga ana tjetër lideri i LDK-së Isa Mustafa.

 “Ai nuk është pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar. Do të jetë çështje për të cilën do të dakordaohemi unë dhe Kurti si liderë politik kohën e duhur”, tha Mustafa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë