Presidenti Ilir Meta thotë se nuk do të zhvillojë konsulta me partitë politike për datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore dhe se Taulant Balla nuk i ngjiti shkallët e Presidencës as për t’i marrë mendim për datën e zgjedhjeve dhe as si përfaqësues i Partisë Socialiste, por si përfaqësues i shumicës qeverisëse.
“Nuk ka pasur ftesë zyrtare për asnjë forcë politike për datën e zgjedhjeve të imponuara për vakancat në gjashtë bashki. Nuk ka pasur një ftesë të tillë për Partinë Socialiste, sepse nëse do të kishte një të tillë do t’i bëhej kryetarit të partisë, ose Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së. Ka pasur një kërkesë informale, por edhe zyrtare mund ta quajmë, por nuk ka qenë ftesë zyrtare për një konsultë me kryetarin e shumicës së Kuvendit, siç është zoti balla, duke qenë se kemi pasur disa dilema për procedurën për datën e zgjedhjeve”, tha ai.
Meta dha se më shumë se data e mbajtjes së zgjedhjeve me shumicën është konsultuar për mbajtjen e tyre, nisur nga fakti që në 2019-n, Presidenti dekretoi 13 tetorin si datë zgjedhjesh vendore, por dekreti u shpërfill nga Qeveria dhe shumica socialiste.
“Se mund të ndodhte që shumica të mos hynte në zgjedhje, t’i bojkotojë ato. Nuk ka pasur konsultim me partitë, por me pëërfaqësuesin e shumicës në Kuvend, që të mos kemi polemika me shumicën”, tha ai.
Me këtë arsyetim, Presidenti shmangu kështu mungesën e konsultimit me Partinë Demokratike, një vendim që më shumë se institucional mund të peshojë si politik, që në thelb tregon se Presidenti vë në pikëpyetje legjitimitetin e Lulzim Bashës si kryetar i kësaj partie.
Sa për datën e zgjedhjeve, Presidenti Meta tha se në mendje ka dy data, 27 shkurtin dhe 6 marsin. Dekreti pritet që të publikohet brenda kësaj jave, sapo Presidenca të marrë përgjigjen zyrtare nga Gjykata Kushtetuese për shkarkimin e Fatos Tushes në Lushnje. Mundësitë më të mëdha janë që mes dy datave të zgjidhet 6 marsi, për t’i dhënë kohën e nevojshme KQZ-së për të përgatitur procesin zgjedhor në gjashtë bashkitë pa kryetarë.
Deklaratën, Meta e mbylli duke ironizuar me faktin që u takua me përfaqësuesin e shumicës që në legjislaturën e kaluar e shkarkoi atë nga posti i Presidentit.
“Shkarkime të tilla paçi të gjithë!”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje