Kur mbeten vetëm pak ditë nga zgjedhja e kreut të ri të PD-së, shtatë deputetë të grupit parlamentar i kanë kërkuar zyrtarisht Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, që të ndërhyjë në ndërprerjen e këtij procesi, referuar statutit.
Lefter Gështenja, Bledion Nallbati, Ramadan Likaj, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati dhe Saimir Korreshi argumentojnë përmes një letre arsyet se pse duhet ndërprerë zgjedhja e kreut të PD.

“Nga kontakti dhe vlerësimi i vullnetit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar sipas listës së anëtarësisë së Këshillit Kombëtar të PD të depozituar dhe regjistruar në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të konfirmuar zyrtarisht nga organet përgjegjëse statutore, rezultoi se 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar nga 453 anëtarë gjithsej në detyrë, një pjesë prej tyre: ishin përjashtuar pa vendim nga mbledhja e Këshillit Kombëtar; ishin njohur por nuk kishin marrë pjesë në mbledhje; ose ishin në mbledhje por nuk e konsideronin atë legjitime, duke mos qenë dakort me “vendimmarrjet pa kuorum”.
Ditën e premte, më datë 21 Korrik 2023, i kemi dorëzuar zyrtarisht Sekretarit të Përgjithshëm një relacion të detajuar, sëbashku me kërkesën për të ushtruar kompetencat e tij statutore.
Të bindur se aktet përçarëse, përjashtimet, njëanshmëria dhe nxitimi, nuk ndihmon në ringritjen e PD, ne gjejmë rastin të kërkojmë nga Sekretari i Përgjithshëm që të ushtrojë kompetencat që i njeh Statuti dhe të ndërmarrë çdo iniciativë statutore për të frenuar përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike”, thuhet në kërkesën e 7 deputetëve.

Një prej deputetëve, Lefter Gështenja tha për mediat se Partisë Demokratike i duhet një frymë e re dhe nuk mund të jetë pronë e një personi.
“Sot pas një vit e gjysmë kemi një proces të njëanshëm. Nuk mund të vazhdohet me procese të njëanshme sepse e shkatërron PD. PD ka nevojë për një ekip dhe frymë të re. Nuk mund të vazhdojmë të shkatërrojmë PD. Duhet të marrë fund njëherë e mirë partia pronë e një personi. Nuk mund të vazhdojmë me kultin e individit”, tha Gështenja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje