Politike

Kreu i PD po kthehet në proces grotesk, mbështetësit e Bashës i marrin vulën Bardhit: S’ka kompetencë të ndalojë garën

Nga sot e hënë, Sekretari i Përgjithshëm  i PD-së, Gazment Bardhi, mund të jetë i vetmi drejtues i lartë, që nuk ka të drejtë të përdore vulën e partisë.

Shumica e anëtarëve të kryesisë, apo të njohur ndryshe si mbështetës të Lulzim Bashës (të cilët i kanë hapur rrugë rizgjedhjes së tij në fund të muajit korrik), janë mbledhur papritur dhe kanë firmosur një deklaratë të shpërndarë si vendim kryesie ku vulën nga sot e tutje duhet ta administrojë Sekretari Për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa.

Deri më tani, në mungesë të kryetarit në bazë të statutit e kishte Gazment Bardhi si Sekretar i Përgjithshëm.  

Vendimi i kryesise së PD për t’i hequr të drejtën e përdorimit të vulës Gazment Bardhit

Lëvizja e fundit e kryesisë erdhi pas një shkrese zyrtare që 7 deputetë të PD-së bashkëngjitur me firmat e 276 anëtarëve të Këshillit Kombëtar i  dërguan Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, për të pezulluar procesin zgjedhjes së kreut të ri të PD-së në fund të muajit.

Pas kësaj shkrese, Gazment Bardhi deklaroi për mediat se ka të drejtën që në bazë të statutit të mbledhë Këshillin Kombëtar.

Për të ndalur një proces brenda procesit, pala tjetër që mbështet Bashën ka njoftuar se ka mbledhur kryesinë ku ka vendosur që vula t’i kalojë Indrit Sefës. Proces më grotesk brenda PD nuk mund të kishte.

Indrit Sefa

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa, ka dalë më pas më një deklaratë për mediat, duke nënvizuar se Gazment Bardhi nuk mund të mbledhë Këshillin.

“Anëtar legitim i Këshillit Kombëtar është: Çdo person që gëzon cilësitë e anëtarit të Partisë Demokratike. Asnjë person që  militon në një grupim tjetër politik, bën fushatë për kandidatë të ndryshëm nga ata të Partisë Demokratike apo për subjekte të  ndryshme nga Partia Demokratike, nuk është më Anëtar i saj e për pasojë as Anëtar i forumeve.

E bëj këtë sqarim për t’i kujtuar deputetëve se ndoshta rastësisht kanë harruar që në grupin më sipër bëjnë pjesë dhe personat që militojnë me Foltoren dhe Sali Berishën.

Njeriu që për interesat e tij personale, prej më shumë se dy vitesh po përdor gjithçka për të penguar PD-në në rrugëtimin normal të saj.

Të interesuarve direkt për t’i shërbyer Sali Berishës dhe interesave të tij, u kujtoj gjithashtu se në bazë të statutit, Sekretari i Përgjithshëm ka kompetenca

vetëm për organizimin e brendshëm të Partisë e në asnjë rast për përfaqësimin e saj në raport me të tretët. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Këtë të drejtë e ka vetëm:  1- Kryesia  2- Kryetari”, tha Sefa i cili nga sot do të administrojë edhe vulën e partisë, deri sa të zgjidhet kryetari i ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë