Politike

32 vjet PD, Basha uron nga SHBA. Alibeaj: Jemi qëndrestar të Perëndimit

Në 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, një pjesë e demokratëve janë bashkuar në festimet e grupit të Alibeaj ndërsa festimet e organizuara nga Berisha pritet të jenë pasdite.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha gjatë festimeve se kjo forcë politike do mbetet partia e vlerave anti-komuniste.

Ai shtoi më tej se “çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit  në një repart sulmesh kundër Perëndimit është një moment që duhet ta kthejnë”.

“32 vite më pas në një atmosferë gëzimi ca momente reflektimi secili nga ne duhet t’i bëjë. Më takon mua në emër të PD, në emër të qendrëstarëve, njerëzve që kanë qëndruar dhe i janë bashkuar kauzës së PD-së. 

Në fakt 3 kanë qenë misionet kryesore, të cilat mbaj mend dhe jemi ushqyer. I pari, PD lindi dhe u krijua si nevojë për një formacion politik që të kthehej drejt Perëndimit. Edhe sot ky është një nga misionet kryesore. Shpallja e pluralizmit, zgjedhje të lira kthimi nga vlerat e perëndimit dhe të demokracisë, janë vlera që askush nuk mund dhe nuk duhet lejuar që të bëjë negociata.

Është kjo një vlerë që e kanë fort në zemër. Kjo ka qenë një nga vlerat, një nga komponentët që e bën një qytetar të Shqipërisë demokrat”, tha ai.

Ai shtoi se PD do mbetet partia e vlerave anti-komuniste. 

“Jemi njerëz të lirë e t’i themi gjërat siç janë, Çdo tradhti çdo largim nga këto vlera është një tradhti ndaj demokratëve dhe PD-së, këtë duhet ta themi fort”, tha ai.

Ndërkohë ish kreu i PD-së Lulzim Basha, nuk ka qenë në takimin festiv të kolegëve të tij në Tiranë, për shkak se ndodhet në SHBA.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se PD ka lindur e re dhe do të mbetet e re. 

“Partia Demokratike ka lindur e re dhe do të mbetet e re, ka lindur europiane dhe do të mbetet europiane, ka lindur kombëtare dhe do të mbetet kombëtare, ka lindur mes sakrificash, e mbi sakrificat do të ngrihet më e fortë, ka lindur si shpresë e shqiptarëve për ndryshim dhe do të jetë sërish shpresa e tyre, ka lindur e madhe dhe do të bëhet edhe më e madhe, për Shqipërinë, për demokracinë”, uroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë