“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus…”, theu heshtjen Lulzim Basha për një nga dosjet më të përfolura në karrierën e tij politike ajo e firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ për zgjedhjet në vitin 2017.
“…Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë…çdo pretendim për financime të huaja.
Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE”, shkruan Basha në Twitter.
2/2 …çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) September 14, 2022
Në fakt asokohe, autoritetet shqiptare hapën hetime lidhur me pagesat lobuese, duke thënë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.
Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentesh ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.
Debati për lobime të paligjshme e aq më tepër nga vende jo miqësore si Rusia u rikthye në një artikull të botuar të mërkurën pa u gdhirë në “Zerin e Amerikës”.
Kjo media shkruan se, “Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan”.
Sipas zyrtarit që foli me Zërin e Amerikës, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.
Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende, njofton Zëri i Amerikës.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje