Politike

6 marsi/ Mesazhi i Yuri Kim dhe aleancat në qytetet ku po luhet fort nga “non-gratat”

Ambasadorja e SHBA-së  në Tiranë, Yuri Kim, ishte në fundjave në Shkodër, në një nga qytetet e saj të preferuara, për të cilën ajo ka folur shpesh herë.

Nuk bëri përjashtim as për vizitën e fundit.

Kujdesshëm, ambasadorja Kim rreket që të flasë për kulturën e Shkodrës, muzeun Marubi, madhështinë e Kalasë së Rozafës  dhe qytetarinë shkodrane. Dhe jo vetëm.

Në takimet me ta, pikërisht në qytetin ku nuk do shumë kalem për të kuptuar situatën politike dhe makinacionet që përdoren, ambasadorja Kim të hënën përmes një postimi në Twitter ka shpjeguar atë që ajo ka vërejtur nga afër.

 “Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht?”, thotë Kim.

Ambasadorja më tej ngre shqetësimin se çfarë duhet të presin SHBA nga këta kandidatë, nëse fitojnë në zgjedhjet e 6 marsit.

“Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, deklaron ajo.

Disa pyetje që ajo i shtroi pas vizitës në Shkodër aty ku kandidon Bardh Spahia i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” por që politikisht përfaqësohet me fytyrën e Sali Berishës i shpallur “non-grata” nga SHBA  dhe ish-prefektja, Majlinda Angoni nga PS-ja e cila në këtë fushatë po mbështetet nga Tom Doshi i PSD-së edhe ai i shpallur “non grata” nga SHBA.

Bardh Spahia është kandidat që ka punuar si me Berishën ashtu edhe  me Bashën. Këto zgjedhje, ai ka zgjedhur ish-kryeministrin dhe nga sondazhet paraprake shihet si kandidati favorit për Shkodrën.    

Tom Doshi aktualisht kryetar i PSD  fitoi tre mandate zgjedhjet e fundit parlamentare. Dhe ndikimi i tij në Shkodër në disa territore të caktuara nuk është i vogël. Aleancat e tij lokale me PS-në kanë sjellë herë pas here edhe debate brenda PS-së  për ndikimin që ai ka në emërime drejtoresh në poste kyçe.

Për të mos harruar që në këto zgjedhje një rol të konsiderueshëm po luan edhe Vangjush Dako i pa impenjuar publikisht me funksione të rëndësishme politike porse në Durrës po lobon për kandidaten që deri më tash ishte kryetare e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako   

Ai vijon të zhvillojë takime me përfaqësuesit e socialistëve në Durrës, madje duke i drejtuar ata.

Dako nuk kandidoi për kryetar bashkie në zgjedhjet e 2019-ës dhe Rama e justifikoi këtë vendim si zgjedhje personale të ish-kryebashkiakut. Që dukshëm nuk është aq personale dhe e sinqertë sa kohë që në shumicën e takimeve per zgjedhjet e 6 marsit, ai drejton mbledhjet ndërsa Emirjana Sako mban shënime.

Vangjush Dako ka qenë dy herë kryetar i bashkisë së Durrësit duke fituar bindshëm në këtë qytet për PS-në dhe po aq i përfolur nga opozita (dhe jo vetëm) për mënyrën se si ai ka vënë pasuri familjare. Opozita e ka akuzuar shpesh here për lidhje me krimin e organizuar dhe blerje votash

Vangjush Dako ne fushate me Sakon

Kinse, ambasadorja amerikane në një postim të dytë të saj në Twitter la të kuptojë se pyetjet që u ka drejtuar kandidatëve jo domosdoshmërisht mund të lidhen vetëm me ata të Sali Berishës.

“Kujtesë! SHBA ka shpallur publikisht katër persona subjekte të aktit 7031”, shkruan ajo shkurtimisht.

Katër emrat e shpallur “non grata” janë Sali Berisha, Vangjush Dako, Tom Doshi dhe Adriatik Llalla. Ky i fundit nuk është në Shqipëri dhe as i përzier në zgjedhjet e fundit vendore. Por Berisha, Dako dhe Doshi janë dukshëm të përfshire.

Vizita sporadike e ambasadores amerikane në fundjavë në Shkodër vetëm sa e konfirmoi edhe njëherë këtë gjë.

Aleancat në qytetet ku luhet shumëçka për fituesin po luajnë fort.

Pikërisht nga ata që janë shpallur “non grata”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë