Politike

Kim pyet kandidatët e mbështetur nga ‘persona non grata’: Çfarë duhet të presë SHBA nga ju?

Me një seri pyetjesh retorike në rrjetet sociale, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim iu drejtua kandidatëve të “Shtëpisë së Lirisë”.

“Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht?”, thotë Kim.

Ambasadorja më tej ngre shqetësimin se çfarë duhet të presin SHBA nga këta kandidatë, nëse fitojnë në zgjedhjet e 6 marsit.

“Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, deklaron ajo.

Me një postim të dytë, Ambasadorja kujton se pyetjet që u ka drejtuar kandidatëve jo domosdoshmërisht mund të lidhen me ata të Sali Berishës.

“Kujtesë! SHBA ka shpallur publikisht katër persona subjekte të aktit 7031”, shkruan ajo shkurtimisht.

Katër emrat e shpallur non grata janë Sali Berisha, Vangjush Dako, Tom Doshi dhe Adriatik Llalla. Llalla nuk është fare në Shqipëri dhe as i përzier në zgjedhjet e fundit vendore. Për Berishën dihet angazhimi i tij i plotë në këtë fushatë duke kërkuar votën për emrat e propozuar prej tij nën logon e “Shtëpisë së Lirisë”.

Ndërkohë, sa për Tom Doshin dhe Vangjush Dakon ka pasur akuza e dyshime se janë përfshirë në fushatë, i pari në Shkodër në mbështetje të kandidates socialiste Majlinda Angoni dhe i dyti në mbështetje po të kandidates socialiste, Emirjana Sako në Durrës.

Reagimi i Ambasadores mbërriti pas një fundjave që kaloi në Shkodër, ku sipas disa sondazheve kandidati i Sali Berishës, Bardh Spahia konsiderohet si favorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë