E ndarë në simbolikë, audiencë dhe kauza. Për herë të parë pas 31 vitesh, Partia Demokratike festoi ftohtë dhe mbi të gjitha e ndarë ditën e Lëvizjes Studentore që solli pluralizmin në vend.
Njëri protagonist që në vitin 90, tjetri i angazhuar në parti prej vitit 2004.
Sot të ndarë për drejtimin e partisë, Lulzim Basha dhe Sali Berisha bënë diferencën mes tyre, por jo për PD-në.
Qysh prej 9 shtatorit kur pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar si “non grata”, Lulzim Basha doli nga zyra për të festuar 8 dhjetorin në një ambient që i përket gjeneratës së re ArTurbina, por me kosto për koherencën politike në PD, sa kohë që ajo relativizohet me prishjen e Teatrit Kombëtar.
Basha e humbi simbolikën në ditën e Rinisë, duke marrë pjesë në një ambient që në mënyrë metaforike sjell debat në PD.
Atë ia “mori” me stil Sali Berisha duke zhvilluar homazhe në Qytet Studenti, kodi i pathyer i demokratëve çdo 8 dhjetor, në një takim improvizues me pak njerëz në qytetin ku lindi lëvizja.
Por ndryshe nga simbolika, Lulzim Basha fitoi audiencën.

Fjala e tij më shumë se 30 minutashe në mes të një turme njerëzish, përzier me deputetë e të rinj në një sallë të mbushur plot, i cenueshëm dhe vetëm me një mikrofon, Basha tërhoqi vëmendjen e audiencës online me rreth 7 mijë shikime.
Basha kishte daljen e parë publike mes demokratësh qysh prej fillim shtatorit, para një paneli drejtuesish ndër ta edhe protagoniste të Dhjetorit.
Në anën tjetër Sali Berisha, në shesh, para familjarëve të Azem Hajdarit (Fatmira Hajdari me të birin por jo Rudina) me një fjalim (që nuk dallonte nga ajo e viteve të mëparshme) duke mos kursyer Edi Ramën por kësaj here as Lulzim Bashën.
Fjala e tij (me akuza) por e drejtpërdrejtë dhe pa kursyer askënd përballë tij u reflektua edhe në audiencë, vetëm 1500 po e ndiqnin online
Tjetër Lulzim Basha. Më shumë i kujdesshëm gjatë fjalës sesa i drejtpërdrejtë.
Nuk atakoi me emër Sali Berishën, por e nënkuptoi me një “mea colpa” drejtuar të rinjve se PD “31 vjet më vonë shkuli komunizmin por jo mentalitetin komunist”, se nuk do ta “dorëzojë” PD dhe në fund angazhimi i tij me premtimin e përbotshëm për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa”
Berisha në anën tjetër pak më konkret, me premtimin për rithemelimin e PD. Por asgjë më shumë.
Të dy ata sot ishin më shumë protagonistë të vetes sesa PD-së, partia e parë opozitare pas lejimit te pluralizmit në vend, duke e lënë atë si 31 vjet më parë mes debatit për të shkuarën dhe të ardhmen… / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje