Presidenti Ilir Meta uroi Ditën e Rinisë përmes një video-mesazhi, ku shfaqet duke vrapuar në natyrë, si për të treguar se është pjesë e rinisë së vendit.
Kreu i shtetit uron me një mesazh të shkurtër dhe dy gishtat lart, simbolin e protestave studentore që nisën më 8 dhjetor 1990 kundër regjimit komunist.
“Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë! Lavdi lëvizjes studentore”, thotë Presidenti në urimin e tij.
Me një video mesazh ka uruar edhe Kryeministri Edi Rama, por që e shoqëron me titra, ku kujton se këtë vit ka arsye për të festuar, pasi Tirana është përzgjedhur kryeqyteti i Rinisë për vitin e ardhshëm.
“Me ditën që mbetet e re çdo vit, 8 Dhjetori që i dedikohet vetëm të rinjve, e me Tiranën që në 2022-in do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Kryeministri.
Kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar me një fotomontazh dhe njnë shënim ku thotë se edhe sot, 31 vite më vonë thirrja “Shqipëria si gjithë Europa” mbetet ende një kushtrim dhe premtim i pambajtur. Ai thotë se ky kushtrim këtë herë është për rrëzimin e një tjetër diktature, asaj të korrupsionit.
“8 Dhjetori 1990, është dita që ndau të shkuarën nga e ardhmja dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë. 31 vite më vonë, thirrja për Shqipërinë si gjithë Europa mbetet një kushtrim për të përmbushur amanetin e të rinjve dhe të rejave që sakrifikuan për liri e demokraci, si dhe për të mbajtur gjallë forcën, guximin dhe idealet e Dhjetorit ‘90, përballë një tjetër diktature, që po varfëron dhe largon bijtë dhe bijat e shqiptarëve, atë të korrupsionit”, shkruan ai.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi uroi me një foto nga protestat në Qytetin e Studenti, 3 dekada më parë dhe fajëson politikën 30-vjeçare që sipas saj braktisi vlerat dhe idealet e asaj lëvizjeje.
“Kjo datë bën të ulin kokën në turp, të gjithë kush në 3 dekada pati shansin ta realizojë këtë mision, por e la në rrugë duke braktisur vlerat dhe idealet mbi të cilat u themelua Shqipëria post-komuniste. Demokracia nuk është e garantuar, mirëpo ajo kërkon mbështetje të vazhdueshme dhe protestë të përditshme me të padrejtën, për të qenë triumfuese ndaj kërcënimeve që i kanosen”, shkruan Kryemadhi.
Sipas kryetares së LSI-së, shpopullimi masiv e ka vendosur Shqipërinë përballë një kërcënimi real për të ardhmen. “Shqipëria si Evropa nuk realizohet duke përkujtuar dhe festuar një herë në vit, por ka nevojë çdo ditë për dedikim dhe dashuri për vendin”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje