Politike

Prokurorët në varësi të ministrit të Brendshëm? Lleshaj: Vetëm për koordinim

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe organizata të tjera të shoqërisë civile i kërkuan Parlamentit që të rrëzojë aktin normativ të Qeverisë me anë të të cilit u ngrit “Operacioni Forca e Ligjit”, me argumentin se shkeljte Kushtetutën dhe pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë.

KSHH thotë se Komitetin Kombëtar të Parandalimit dhe Luftën Kundër Krimit të organizuar, një organ i ngritur nga Qeveria dhe që kryesohet nga ministri i Brendshëm shkel parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

Por, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk sheh asgjë të keqe. Ai thotë se Komiteti ka vetëm rol koordinues.

“Aty nuk flitet për drejtim, por për kryesim të një tryeze. Mund të ishte fare mirë dhe prokurori i Përgjithshëm. Nuk shoh asnjë handikap që mos të jetë ministri, edhe vende të tjera më të zhvilluara kështu e kanë. Në pikëpamje doktrinare nuk është gabim që prokuroria të bashkëpunojnë me policinë. Komiteti do të ketë funksion koordinues për të përmirësuar parametrat e rendit dhe të sigurisë. Pavarësia e nënkupton koordinimin, pasi përgjegjësia është e përbashkët”, deklaroi Lleshaj në një intervistë dhënë për News24 këtë të enjte.

KSHH i kërkoi Parlamentit që në muajin shkurt që të rrëzonte këtë akt normativ, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh dhe në seancën e kësaj të enjteje, paketa antiKÇK kaloi me 89 vota pro.

Shkeljen e parimit të pavarësisë, shoqëria civile e gjente tek pjesëmarrja, përgjegjësitë dhe detyrat që i cakton akti normativ Prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme në Komitetin Kombëtar të Parandalimit dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar.

“Kjo strukturë ka në përbërje funksionarë të ekzekutivit që emërohen dhe shkarkohen direkt nga Kryeministri si dhe ka në përbërje gjithashtu Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Neni 8 i aktit normativ e cenon Kushtetutën, ku parashikohen rastet e papajtueshmërisë me detyrën e prokurorëve. Kjo detyrë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore ose politike, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor. Anëtarësia e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në këtë Komitet Koordinues, krijon premisa për ndikim të papërshtatshëm nga ekzekutivi në ushtrimin e profesionit të pavarur të tyre apo edhe premisa për presion të fshehtë”, thuhej në kërkesën që KSHH i dërgoi Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë