Politike

Shoqëria civile i kërkon Kuvendit të rrëzojë OFL-në: Është antikushtetues

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe shoqata të shoqërisë civile i kërkojnë Parlamentit që të rrëzojë aktin normativ me fuqinë e ligjit të miratuar nga Qeveria mbi bazën e të cilit nisi operacionit “Forca e Ligjit”.

Në kërkesën dorëzuar deputetëve thuhet se akti normativ cenon parime të rëndësishme kushtetuese, si ndarjen dhe balancimin e pushteteve, parimin e pavarësisë së prokurorisë, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Akti normativ nuk mund të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar. Ne vërejmë se në përmbajtje të këtij akti normativ ka dispozita që sanksionojnë marrëdhëniet me prokurorinë dhe gjykatat, parashikohen procedura të veçanta dhe vendosen afate për organet e drejtësisë, të cilat janë të sanksionuara në legjislacionin në fuqi që është i miratuar me shumicë të cilësuar”, thuhet në kërkesë.

Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit akti normativ dublon parashikimet e ligjit antimafia dhe zgjeron kompetencat lëndore të SPAK-ut në kundërshtim me parashikimet që Kushtetuta i jep këtij institucioni, që në Kushtetutë heton dhe gjykon vetëm krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme i jepet atributi, përkatësisht për të kërkuar dhe vendosur lidhur me masat parandaluese me karakter personal, pasuror dhe ekonomik. Këto masa jepen jo vetëm ndaj subjekteve të dënuar apo nën hetim për krim të organizuar, por edhe ndaj atyre për krime të rënda. Këto kompetenca tejkalojnë ato të parashikuara në Kushtetutë. Zgjerimi i kompetencës lëndore të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit nuk mund të bëhet as me akt normativ me fuqinë e ligjit, por gjithashtu as me ligj me shumicë të cilësuar, por kjo do të kërkonte ndryshime në Kushtetutën e vendit tonë”, vijon deklarata.

Sipas qëndrimit të shoqërisë civile akti normativ nuk respekton hierarkinë e ligjeve.

“Piramida e akteve normative përcakton marrëdhëniet midis normave juridike, të cilat bazohen në raportin e mbi/nënvendosjes së tyre. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike”, thuhet më tej.

KSHH mirëpret bashkëpunimin mes institucioneve, por vëren se në këndvështrimin e Komitetit akti normativ përbën shkelje të pavarësisë së Prokurorisë. Shkeljen e gjen tek pjesëmarrja, përgjegjësitë dhe detyrat që i cakton akti normativ Prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme në Komitetin Kombëtar të Parandalimit dhe Luftën Kundër Krimit të organizuar, një organ i ngritur nga Qeveria që kryesohet nga ministri i Brendshëm.

“Kjo strukturë ka në përbërje funksionarë të ekzekutivit që emërohen dhe shkarkohen direkt nga Kryeministri si dhe ka në përbërje gjithashtu Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Neni 8 i aktit normativ e cenon Kushtetutën, ku parashikohen rastet e papajtueshmërisë me detyrën e prokurorëve. Kjo detyrë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore ose politike, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor. Anëtarësia e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në këtë Komitet Koordinues, krijon premisa për ndikim të papërshtatshëm nga ekzekutivi në ushtrimin e profesionit të pavarur të tyre apo edhe premisa për presion të fshehtë”, deklaron KSHH.

Shoqëria civile thotë gjithashtu se akti normativ shkel edhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në nenet që përcaktojnë kufizimet, duke shkuar përtej Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që Shqipëria e ka ratifikuar.

Kërkesa i është dorëzuar Kuvendit që më datë 5 shkurt, ndërkohë që Kuvendi ka në rend të ditës në seancën e së enjtes miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit, që Qeveria e ka përcaktuar me efekt të përkohshëm deri më 31 dhjetor. Në bazë të këtij akti ka nisur operacioni “Forca e Ligjit”, që u ka kërkuar disa emrave të njohur të botës së krimit që të justifikojnë burimin e pasurisë së tyre. Po me “OFL”-në, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të trajtohen edhe të gjitha pasuritë e padeklaruara përgjatë amnistisë së përgjithshme, që thotë se do të kalojë shumë shpejt në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë