Politike

Votat për Kodin, a u ble opozita në Kuvend me “karamelet” dieta?

Kryeministri Edi Rama shkoi me mendjen top në takim me përfaqësues të opozitës parlamentare, se pakti i firmosur me Lulzim Bashën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk ndryshon.

Rama i kërkoi “ndihmë” Bashës në këtë drejtim duke i kujtuar se ata që po “bënin numra” për Kodin Zgjedhor ishin pikërisht emrat që vetë kryetari i PD-së kishte vendosur në listat për deputet.

Dhe kur Rama kalon në kufijtë e ironisë dhe talljes do të thotë se, ai nuk negocion më për këtë çështje.

Rama e tha troç të mërkurën se PS-ja nuk shpërndan më “karamele”.

“…Po del që PS ka detyrimin vetëm të shpërndajë karamele, llokume e ballokume dhe mish nga trupi i vet, nuk mund të jetë kështu…”, tha Rama i sëkëlldisur.

Dhe pikërisht në ditën kur Rama flet për “karamelet” në median e shkruar dhe vizive bëhet publike një dokument i nxjerrë enkas nga Kuvendi ku dukshëm vihet re shuma e pajustifikuar e dietave që kanë përfituar edhe deputetë të opozitës parlamentare në kohë pandemie, atëherë kur gjithçka ishte mbyllur e ku lëvizja lejohej vetëm për raste të justifikuara.

Dietat përfshijnë kryesisht honoraret nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve (që vijon të jetë online), pagesa fikse 17,000 lekë të reja për telefonin, si dhe shpenzimet për qira shtëpie (ku përfituan 23 deputetë).

Shuma e kompensuar për karburant llogaritet jashtë dietave dhe ajo ka vijuar rregullisht për deputetët edhe në muajin Prill kur qarkullimi në Tiranë ka qenë i limituar në maksimum dhe vetëm për arsye të justifikuara, (përjashto Gramoz Ruçin dhe Myslim Murrizin).

Kujtojmë gjithashtu se Kuvendi gjatë muajit Prill është mbledhur vetëm tre herë.

I vetmi nga lista e deputetëve që nuk ka pranuar të përfitojë as dieta e as karburant është deputeti Erion Piciri i cili pak ditë më parë propozoi një draft për zvogëlimin e përfitimeve financiare të deputetëve

“Unë nuk kam marrë kurrë lekë për karburant, telefon, dieta, komisione, mandej nuk marr as rrogë. A thua i tërheq dikush tjetër në emrin tim?”, shkruan ai në Facebook…

…Listën e dietave të përfituara e kryeson Suzana Topi  e propozuar në Kuvend nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Pogradecin.

Suzana Topi renditet e para në  listën e bërë publike, me shumën më të madhe të dietave paguar nga Kuvendi. Ajo ka marrë 150.000 lekë të reja dietë dhe 33.000 lekë për karburant.

Për koiçidencë (ose jo) ajo është e para gjithashtu në listë që deklaron edhe votën pro marrëveshjes për Kodin Zgjedhor.

“Dua të përshëndes marrëveshjen e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, firmosur nga të gjithë aktorët politikë, e cila mori bekimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE. Sigurisht që kjo reformë ka nevojë të përmirësohet më tej për të bërë votime me lista të hapura, për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime, për implementimin e sistemit elektronik në votime. Vota ime, si deputete e pavarur nga asnjë grup parlamentar, do të jetë pro kësaj marrëveshje sepse unë dua integrimin e Shqipërisë në Europë”, shkruan Topi në Facebook.

Një tjetër deputet që ka përfituar një shumë të konsiderueshme diete në kohë pandemie është edhe Lefter Maliqi i qarkut të Beratit.

Krahas dietës (75.250 lekë të reja ), ai ka përfituar edhe 40.000 lekë karburant në muaj.

Ndryshe nga Topi që votën e jep në emër të “integrimit”, Maliqi e justifikon votën në emër të “opozitës legjitime”, që ndodhet jashtë Kuvendit.

“…Shumicën e deputetëve të opozitës së re (Rama) i ka.i ka 100 vota kur të dojë. Unë do të mbështes opozitën legjitime që është jashtë”, tha Maliqi

Deputeti i tretë që renditet pro marrëveshjes është Adriatik Alimadhi.

I shtruar më shumë se një muaj tek Infektivi, i infektuar nga Covid-19, Alimadhin nuk e ka ndaluar virusi që të përfitojë nga Kuvendi 40 mijë lekë të reja për karburant.

Nisur nga votat aktuale që PS-ja ka në Kuvend (78), plus tre votat publike, kryeministrin Edi Rama nuk e pengon asgjë që të sigurojë të paktën edhe tre vota të tjera për të kaluar Kodin Zgjedhor (84 vota)

Se fundja, kësaj here Rama nuk ka nevojë që të “heqë mish nga trupi i PS-së”.

E ka bërë Kuvendi me dietat galoponte për deputetët anonime që vetëm gjatë muajit Prill kanë përfituar njësoj si në kohë jo pandemie; karburant 40.000 lekë dhe 75.250 lekë në muaj dieta (mbi 25 deputetë).

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë