Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot diplomatin Zef Mazi si njeriun që do të udhëheqë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por edhe pse u mundua të përqendrohej te bisedimet me unionin, si ai ashtu edhe vetë-kryenegociatori dolën disa herë nga rruga e integrimit gjatë konferencës në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtëm, duke u futur në “rrugën me shumë korsi të politikës së brendshme”.
Duke folur për herë të parë si kryenegociator krah Ramës dhe ministrit në detyrë Gent Cakaj, Mazi pranoi se integrimi në Bashkimin Europian është beteja më e vështirë me të cilën do të përballet vendi ynë, edhe pse nuk u ndal tek pengesat në rrugën europiane të Shqipërisë
“Detyra që kemi përpara është mjaft e vështirë dhe komplekse. Ky është ushtrimi më i vështirë që ka marrë vendi ynë për të realizuar në historinë moderne të vendit tonë. Ndihem pak nostalgjik sot sepse sot ndodhem te institucioni ku unë mora një rrugë të gjatë”, tha Mazi gjatë prezantimit të tij.
Në politikën e brendshme, Kryenegociatori e prezantoi veten si një figurë unifikuese, duke i dërguar një mesazh të drejëpërdrejtë jo vetëm kreut të opozitës, Lulzim Basha, por edhe presidentit Ilir Meta. Duke paralajmëruar se Shqipërinë e pret një rrugë e gjatë, Mazi theksoi se procesi i integrimit duhet të përfshijë të gjithë aktorët politikë të vendit, duke e vënë theksin tek opozita.
“Opozitën do ta dëgjoj”, deklaroi kryenegociatori. “Objektivi është i njëjtë, kryetari i PD-së e ka deklaruar, qëllimi është i njëjtë, integrimi në BE. Do i kërkoj mbështetemi në këtë proces është për të mirën e tij” tha ai. “Kemi të bëjmë një maratonë të gjatë. Ne e dimë se kush e nis me vrull vrapin në maratonë, nuk arrijnë as në gjysmën e saj. Unë do të kërkoj pa asnjë shmangie bisedime me të gjithë aktorët politikë të vendit. Sepse kjo rrugë e gjatë ka nevojë për institucionet tona. Për Presidentin, Kuvendin, akademikët, mediat. Pra i gjithë kompleksi institucional duhet të jetë në bashkëpunim të plotë me këtë ecuri”.
Kryenegociatori Mazi tha se është gati dhe do të kërkojë që të takojë edhe Presidentin Ilir Meta në ditët në vijim, pasi kreu i shtetit ka kritikuar jo pak procesin e integrimit disa ditë më parë.
“Unë e fillova këtë punë në distancë, pasi pas COVID-it nuk kishte mundësi lëvizje, dje ishte dita ime e parë e punës në zyrë. Me presidentin njihem, e kam pasur kryeministër dhe ministër të jashtëm dhe e vlerësoj çfarë ka thënë për mua. Bashkëpunimi me presidentin do të jetë konstant është pjesë e institucioneve kryesore që drejtojnë vendin. Brenda 24 orëve nuk kam pasur mundësi të kontaktoj dhe të kërkoj takim me presidentin, por mund të bëhet nesër apo në vijim. Sa i përket 14 pikave që ka shtruar presidenti, detyra ime nuk është të komentoj por të zbatoj mandatin si kryenegociator” tha ai.
Të njëjtin qëndrim duket se mbajti edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili deklaroi se ka preferuar të vërë bastin me Zef Mazin pasi mishëron politikën as majtas dhe as djathtas.
“Mazi mbron vetëm drejt për interesat e vendit”, u shpreh Rama. Ka shërbyer për shumë vite për shtetin shqiptar, por edhe në organizma ndërkombëtare. Mazi është më tepër sesa një diplomat. Të mos harrojmë se emri i tij është propozuar edhe si president i mundshëm, gjë që tregon për respektin dhe vlerësimin që gëzon”
Duke theksuar se Mazi do të këtë kompetencat e një ministri shteti, Rama theksoi se diplomati po i vë sot një kapak floriri karrierës së tij, duke udhëhequr misionin më rëndësishëm gjeostrategjik të Shqipërisë.
Ai e ka cilësuar integrimin në BE si një beteje që nuk dihet se sa kohë do zgjasë, duke i cilësuar si bisedime mes një super fuqie dhe një vendi të vogël që dëshiron të bëhet pjesë e kësaj super fuqie. Kjo sipas tij, është edhe arsyeja përse ekipi negociator nuk duhet ta cilësojë integrimin si një “punë të dytë”.
“Është një sfidë e madhe për kryenegociatorin, nga njëra anë do të përfaqësoj ekipin tonë përballë ekipit tjetër, por duhet të krijojë një frymë, disiplinë skuadre kushte që koordinatorët t’i përkushtohen këtij procesi, jo si një punë e dytë se një pjesë janë zv. ministra, por nga momenti i krijimit të kësaj skuadre, ky është prioriteti numër një dhe nuk është një punë dytësore, por një punë në skuadër, ku nuk bëhet fjalë vetëm për personat e kontaktit për bërthamën e re që çdo institucion që duhen motivuar nga përfaqësuesit e këtij rrjeti. Përzgjedhja është bërë mbi profilet më të përshtatshme, por nga ky moment të gjithë ta kenë të qartë që janë në varësi të kryenegociatorit dhe do të jetë ai që do të përcaktojë vijimësinë e gjithë secilit”, deklaroi Rama, duke theksuar se kryenegociatori Mazi mund të bëjë zëvendësime për ato që nuk i përgjigjen ritmit dhe afateve.
Kryeministri i premtoi kryenegociatorit mbështetjen e të gjitha kapaciteteve të qeverisë, duke pranuar se Shqipërinë e pret një punë e gjatë për të arritur në çeljen e Konferencën ndërqeveritare, që është hapja formale dhe zyrtare e negociatave.
I pyetur për afat për integrimin, kryeministri u shpreh se: Mos prisni që të jap data, sepse në një martesë datën nuk e cakton më i vogli. Boll më bëmë shtyrje dasmash. Problemet për shtyrjen e dasmës ishin tek ata, jo tek ne. Ata na vendosin detyra ne, sepse jemi ne që duam të hyjmë në BE. Një ide e kam, por mos nxirr datë kur flet për BE, e mësova këtë gjë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje