Shumëkush që u njoh me nderimin e gjyqtarit Ardian Dvorani nga DASH, si një nga 12 kampionët në botë në luftën kundër korrupsionit, i ktheu sytë nga Presidenti Ilir Meta për reagim, nisur nga përplasjet direkte me ish-kreun e KED për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Ilir Meta nuk e bëri direkt, por përcolli foto marshim me të rinjtë në Tiranë, duke e komentuar me një fjali të shkurtër në Facebook.
“25 prill – Shqipëria e shqiptarëve dhe kurrë e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare”, komentoi Meta, pak minuta pasi ambasada e SHBA-ve përcolli deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, ku shpallte mes 12 kampionëve të luftës kundër korrupsionit dhe ish-kreun e KED, gjyqtarin shqiptar Ardian Dvorani.
Më vonë, pati një reagim të zëdhënësit të tij, Tedi Blushi. Dhe jo duke u marrë me vendimin direkt të DASH, por me reagimin që kryeministri Rama pati, pas njoftimit zyrtar për Dvoranin.
Rama komentoi në Twitter se, “Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes”. Rama madje komentoi se ajo që ndodhi ndaj Dvoranit ishte “baltë imoraliteti politik e mediatik”.
Tedi Blushi, përmes një komenti në Facebook, reagoi ndaj tij: “O faqezi, Ramaforma jote ngordh më 25 prill me 3 milionë shpulla dhe shkelma të shqiptarëve, kundër teje, oligarkëve dhe diplomatëve të korruptuar deri në palcë. Shqipëria e para dhe e pamposhtur!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje