Departamenti Amerikan i Shtetit ka nderuar Ardian Dvoranin si një nga 12 personalitetet në botë që kanë kontribuar në luftën kundër korrupsionit.
Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken tha përmes një deklarate zyrtare se, në të gjithë botën, korrupsioni kërcënon sigurinë dhe stabilitetin, pengon rritjen ekonomike, minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut, shkatërron besimin në institucionet publike dhe lehtëson krimin ndërkufitar.
Për këtë arsye, administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka marrë angazhimin për të suksesshëm në luftën ndaj këtij fenomeni duke bashkëpunuar me partnerë të përkushtuar dhe individë të guximshëm që përkrahin përpjekjet antikorrupsion.
Në këtë kuadër, Sekretari i Shtetit amerikan Blinken shpalli një Çmim të ri Ndërkombëtar; ajo e Kampionëve Antikorrupsion, duke nderuar 12 individë që sipas tij kanë punuar pa u lodhur, shpesh përballë fatkeqësive, për të mbrojtur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar llogaridhënie në vendet e tyre.
Një prej 12 emrave të përkushtuar në këto sfida është edhe Ardian Dvorani.
Ish-kreu KED ka pasur përplasje të vazhdueshme me Presidentin e Republikës Ilir Meta lidhur me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Dvorani është akuzuar gjithashtu nga opozita si njeriu ndaj të cilit “procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve tregoi se ishte i njëanshëm” duke e konsideruar rastin e “Dvorani” si shembull i “standardeve të dyfishta”.
Sipas PD, “Dvorani është ideatori dhe argumentuesi i çdo vendimi të ndërmarrë kundër Partisë Demokratike”.
PD mbështeti paralelisht edhe kallëzimin penal të Ilir Metës ndaj Dvoranit
Por në një koment të tij në Facebook, pas dhënies së çmimit nga DASH, Kryeministri Rama thotë se, “Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes”
“Vlerësimi i lartë i Sekretarit të ri të Shtetit për Ardian Dvoranin, është një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që luftojnë për Reformën në Drejtësi në këtë fazë kacafytjeje me të Keqen ku ka hyrë reforma dhe një riafirmim i angazhimit të SHBA në luftën për Reformën! Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”, shkruan Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje