Politike

Bisedat e Komisionerëve të BE me Bashën, Rama llogari Brukselit: A s’është futje hundësh në fushatë?

Kryeministri Edi Rama akuzon Komisionerë të Bashkimit Europian për ndërhyrje në fushatën zgjedhore të një vendi kandidat, duke marrë shkas nga prania e Komisioneres së Arsimit dhe Inovacionit, Maria Gabriel në një bashkëbisedim online me Lulzim Bashën.

“Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve, që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE!”, thotë Rama.

Rama thotë se është në pritje të një përgjigjeje nga Brukseli nëse këto ndërhyrje të komisionerëve të tij lejohen apo jo.

“Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!”, vijon Kryeministri.

Reagimi i Ramës mbërrin pas video-konferencës së Lulzim Bashës me Komisioneren Maria Gabriel, ndërkohë që biseda të ngjashme më herët kreu i PD-së ka pasur edhe me Komisionerin për Buxhetin dhe Administratën, Johannes Hahn.

Lulzim Basha ka reaguar pas kësaj deklarate të Ramës duke e interpretuar atë si nervozizëm të habitshëm dhe e akuzon se në 8 vite ka bërë hapa pas në rrugën drejt integrimit të vendit në BE.

“I habitshëm nervozizmi i Rames. Unë, PD dhe shqiptarët e kemi përcaktuar rrugën tonë që në dhjetorin ‘90: ajo është rruga që të çon në Europë. Sot të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara. Për 8 vjet, jo vetëm që Rama nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin, por ai bëri hapa prapa. Unë jam i vendosur të bëj gjithçka për të ecur përpara me integrimin europian, për të sjellë ndryshimin e vërtetë, arsim cilësor dhe punësim dinjitoz për shqiptarët këtu në Shqipëri. Mirënjohje BE, KE për ndihmë e pakursyer që i kanë dhënë dhe do t’i japin vendit tonë”, thotë Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë