Në një fjalim prej 30 minutash, me stilin e njëjtë në cdo takim elektoral qysh prej fillimit të fushatës, Lulzim Basha kërkoi votën e shqiptarëve për mandatin e kryeministrit.
Jo në një podium, por i hipur në makinën e fushatës në mes te sheshit “Nënë Tereza” i rrethuar nga simpatizantët e PD-së dhe fare pranë tij edhe bashkëshortja, Aurela.
Basha kërkoi votën e administratës, forcave të rendit, socialistëve të zhgënjyer, demokratëve, simpatizantëve atyre të pavendosur të votonin për ndryshimin.
Basha bëri thirrje dhe orientoi qytetarët të votonin numrin 9 detaji më i dukshëm nëpër pankarta në tubimin përmbyllës dhe katër ekraneve të mëdhenj.
Ashtu si edhe në hapjen e fushatës, mungoi sërish lideri historik i së djathtës, ish-kryeministri Sali Berisha.
Në turmën e njerëzve nuk dallohej të ishte as aleatja e PD-së në këto zgjedhje, LSI e drejtuar nga Monika Kryemadhi.
“… Vëllezër dhe motra, një dimër tetëvjeçar ka dhe dy ditë për ta mbyllur dhe unë e di se Tirana, kjo vulë kryeqytetase e ndryshimit do t’i prijë ditën e diel, pjesëmarrjes masive që në orët e para të mëngjesit.
Do t’i prijë me votë fitores më të thellë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vëllezër dhe motra, për 8 vite me radhë kanë marrë gjithçka.
Një grusht njerëzish dhe një njeri i vetëm mbi ta, 8 vite me radhë zhvati dhe grabiti, dinjitetin e përdhosi, sigurinë e kërcënoi, vendit ia mbylli portat e integrimit dhe mendoi se për pak u bë Zot edhe i votës tuaj por kjo nuk është Tirana e tyre. Kjo nuk është Tirana e Edi Ramës.
Kjo është Tirana e tiranasve, e kryeqytetasve, e shqiptarëve. Ky është vendi ynë dhe të Dielën me votën tuaj do ta rimerrni Tiranën, do ta rimerrni Shqipërinë dhe fatin tuaj në duart tuaja duke votuar numrin 9.
Bashkë për ndryshim do të thotë që ne do ti japim fund njëherë e mirë arenës së shëmtuar ku shumica dërrmuese e shqiptarëve e varfëruar, e poshtëruar dhe e papunë, këqyrë një pakicë babëzie tek merr pasuritë e vendit, vjedh taksat e vendit dhe varfëron në palcë çdo familje.
Do të thotë ti japim fund një arene të konfliktit dhe përçarjes që i shërben vetëm një njeriut atij që për 8 vite me radhë nuk bëri asgjë përveçse u pasurua dhe grumbulloj më shumë pushtet se kushdo tjetër përpara tij këto 30 vite…”, tha ai
“Ejani dhe ju, bëhuni pjesë e bashkimit, nënpunës, mësues, mjekë, punonjës të ndershëm të policisë së shtetit që ju kam takuar përsëri këtë muaj kaq intensivisht në turin tim dhe më keni thënë me fjalë, me sy, me gjeste, na ka ardhur në majë të hundës, ditën e diel shkoni në kutinë e votimit, largojeni me votë të keqen.
Bëhuni dhe ju bijtë dhe bijat tanë krenar, shërbëtor të askujt tjetër përveç ligjit dhe Shqipërisë. Kjo është energjia e ndryshimit!
Ky është rrezatimi i njerëzve që e rikthejnë besimin te vetja, tek familja, te vlerat, te shoqëria, te Shqipëria, te fitorja! Ky është zëri, këto janë fytyrat e shoqërisë që ngrihet në këmbë pas 8 viteve të gjata lëngate dhe thotë: “Boll më!” Kjo është Shqipëria jonë! Ditën e diel e rimarrim me votë për të gjithë shqiptarët!
…25 Prilli nuk bëhet për partinë politike ndaj mirë se vini ju qindra, mijëra socialistë të zhgënjyer, bashkohuni me ne, bashkohuni me ndryshimin, bashkohuni me shpresën.
Kjo është Shqipëria e të gjithëve ne dhe do të ketë vend për të gjithë ne, ndaj, ejani votoni numrin 9…”, tha ai.
Basha premtoi se do të jetë kryeministri i të gjithëve pa dallime politike.
“Unë zotohem sot, nga ky shesh i shenjtores së madhe shqiptare se qeveria e dalë pas votës së 25 prillit do të jetë qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe se unë do të shërbej si kryeministri i të gjithë shqiptarëve.
E di, barrën e rëndë të përgjegjësive që do të kemi pas datës 25. I kemi parë dhe prekur ditë për ditë së bashku rrënimet dhe rrënojat që po lë pas ky dhe 8 vitet e tij hipur mbi shpinën e shqiptarëve.
Por e di vëllezër e motra se dita e fitores së thellë do të jetë dhe dita që energjia juaj e pamat të bëjnë të mundur atë që dinë të bëjnë kur jemi bashkë, përparim, zhvillim ekonomik, mirëqenie, paga të larta, e mbi të gjitha hapjen e derës për të shkuar drejt destinit tonë hyjnor, misionit tonë, misionit tim, Shqipërisë anëtar e Bashkimit Europian.
Nuk ka fuqi, nuk ka forcë ta ndalë këtë që po vjen. I pandalshëm është ndryshimi, i pandalshëm është besimi juaj tek Shqipëria, i pandalshëm është besimi im tek ju populli i Tiranës dhe i mbarë Shqipërisë. Ndaj ejani, ejani të fillojmë, ditën e diel t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, Tiranën banorëve të saj. Ditën e diel të hapim rrugën e të ardhmes për fëmijët tanë, për prindërit tanë, për vogëlushët e të rinjtë duke votuar numrin 9! Të gjithë në kutitë e votimit! Askush të mos mungojë…”, tha Basha
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje