Partia Socialiste, që ka hyrë në proces analizimit të rezultatit të 25 prillit dhe hartimit të një platforme të re riorganizimi, mund të thërrasë për të dytën herë brenda vitit Kongresin e saj. Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri la të hapur mundësinë e ndryshimeve në statut.
Çdo ndërhyrje në statut, që është “Kushtetuta” e funksionimit të çdo partie politike kërkon miratimin nga Kongresi. Është ende herët për të folur nëse do të preket statuti apo jo, por një indicie se ku do të orientohen këto ndryshime e ka thënë në më shumë se një rast vetë kryesocialisti Rama.
Burime të Gazetasi.al pohojnë se në mbledhjen e parë të Sekretariatit të dalë pas Asamblesë së 2 shtatorit, kryesocialisti Edi Rama i ka mëshuar idesë së hedhur edhe publikisht në fjalën e mbajtur para kësaj asambleje. Në atë fjalim, Rama theksoi nevojën e ndryshimit të partisë dhe qelizave të saj për të qenë gati për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme të radhës.
Sipas idesë së kreut të PS-së, organizatat e partisë duhet të shkëputen përfundimisht nga mentaliteti e perceptimi i tyre si zyra pune dhe të shndërrohen në qendra debatesh, kritikash e mendimesh. Për këtë qëllim është gjykuar ndërhyrja në statut që do të mundësojë ristrukturimin e degëve.
Por, që të ndryshojë statuti, që është “kushtetuta” e organizimit të një partie politike, duhet thirrur Kongresi. Sipas afateve të dhëna nga Damian Gjiknuri, PS do të duhet të thërrasë brenda këtij viti Kongresin, hera e dytë pas atij të thirrur në muajin qershor.
Thirrja e Kongresit mund të nënkuptojë që në kuadër të ristrukturimit të partisë të ketë edhe një rifreskim të Asamblesë Kombëtare të Partisë, organ i zgjedhur vetëm një vit më parë, ku mes anëtarëve ka edhe emra që nuk u përfshinë as në listën e kandidatëve për deputetë, as në Kryesinë e re të miratuar më 2 shtator, si ish-kryebashkiakët Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini.
Ndryshimi hipotetik i përbërjes së Asamblesë do të çonte Partinë Socialiste drejt një paradoksi jo edhe aq të vogël, ku Asambleja e re do të duhet të punojë me një Kryesi e Sekretariatet të zgjedhur nga një Asamble e vjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje