Politike

E miratoi në 2013, Rama u kujton ministrave Kodin e Etikës: S’ka më dhurata të shtrenjta, udhëtime Business Class, e sallë Vip në Aeroport për familjet tuaja

Kryeministri Edi Rama e filloi mbledhjen e parë të mandatit të tretë qeverisës, si tetë vjet më parë, kur mori pushtetin.

Edi Rama mbajti një fjalim të shkruar as më shumë e as më pak se për Kodin Etik përmbajtjen e të cilit e kishte firmosur me po aq bujë si një ndër tre vendimet e para kur u ulë në karrigen e kryeministrit në vitin 2013.

Pas tetë viteve në pushtet, Kryeministri Rama u kujtoi ministrave të rinj dhe atyre të “vjetër” se në bazë të Kodit Etik të gjithë  ministrat duhet të deklarojnë dhuratat e marra në takimet zyrtare, pavarësisht vlerës së tyre dhe duhet t’i depozitojnë ato në magazinën e dhuratave në kryeministri.

“Në rast përsëritje të thyerjes së Kodit Etik nga ana juaj, personi nuk do të ulet më në këtë tryezë. Pa asnjë ekuivokë kjo kornizë vlen edhe për mua dhe vlen ta them se nuk e kam pasur problem ta respektoj në 8 vjet dhe as nuk kam problem dhe ta respektoj në 4 vitet e ardhshme.

Një tjetër çështje që aneksi i kodit duhet të sanksionojë dhe detajojë janë dhuratat e lidhura me funksionin. Sot kryeministria ka një muze ku janë dhuratat dhe një magazinë ku ruhen dhuratat, që nga medalionet, ose objekte të ndryshme artistike, pavarësisht vlerës së tyre të ulët apo të lartë, deri te dhurata me vlerën më të lartë.

Deri në vitin 2013 nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare. A që thua këtu se deri në 2013 këtu ka qenë ndonjë fuqi pushtuese që nuk ka lënë asgjë pasi ka ikur.

Madje jo vetëm nuk kanë lënë atë që kanë marrë por kanë marrë piktura, kompjutera, lugë, pirunj, filxhanë. Çdo gjë duhet shkruar në aneksin e kodit. Çdo gjë duhet dorëzuar në stok. Të gjitha mund të tingëllojnë si gjëra të vogla por në fakt janë norma të zbatuar në të gjitha shtetet që meritojnë të quhen të tilla”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se anekset e Kodit Etik që pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave do të jenë të vlefshme jo vetëm për ministrat por edhe për drejtuesit e institucioneve lokale dhe qendrore.

“Është detyra e zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë që krahas aneksit të Kodit Etik të sjellë në mbledhjen e qeverisë projektvendimin për respektimin e rregullave të sjelljes të drejtuesve të lartë të institucioneve ekzekutive, qoftë rajonale apo lokale.

Ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë kapadallukën dhe karshillëkun publik të shefave të çfarëdollojshëm në territor.

Më kanë bërë të ndihem keq në sytë e publikut disa raste të drejtorëve të institucioneve të cilët papërgjegjmërisht organizojnë mbrëmje tematiko-dëfrimi me kolektivin. Nuk flas as për 8 Marsin, as për vitin e ri, ku mund të organizohen festa por kurrësesi me fondet e agjencive dhe drejtorive. Apo ndërrmarin udhëtime pune me kanakarët e tyre jashtë shtetit, prej të cilave postojnë pa asnjë gajle momente të hareshme këndelljesh turistike, duke e bërë të neveritshme figurën e zyrtarit. Asnjë udhëtim jashtë shtetit që nuk ka marrë miratimin tuaj nuk do konsiderohet në përputhje me etikën e kësaj qeverie”, nënvizoi ai.

Kreu i qeverisë u kërkoi ministrave që t’i mbajnë familjarët larg zyrave të shtetit dhe larg fondeve publike.

“Kush nuk do të thotë të vërtetën do marrë mbi veten përgjegjësitë, politike, morale, institucionale edhe ligjore. Në mbledhjen e parë jap një porosi: Ministër nuk bëhesh vet, të bën kryeministri, por vendin nuk e mbaj unë, duhet ta mbash vetë. Kjo vlen edhe për dyshemenë ku shkel. Dyshemeja është vetëm ligji. Kush shkel në dërrasë të kalbur punën e ka me organet ligjzbatuese, jo me mua, as me qeverinë, as me partinë. Kjo është porosia ime.

Do t’ju mbështes pa kursim,  do tu mbroj publikisht pa asnjë rezervë kundër çdo agresioni dhe kundërshtari të progresit, do t’ju ruaj edhe shpinën nga çdo erë, por as mua as PS-në nuk do ta ketë mbrapa kush do hedhë qoftë një hap jashtë dyshemesë së ligjit. Familja ime nuk ka lidhje me punët e shtetit. Do ju kërkoja t’i mbani larg familjet tuaja nga dyert e zyrave të shtetit. Nga fondet publike, dhe nga kërkesat e të tretëve, qofshin kushërinj, krushq apo miq, për favore sado të vogla”, tha Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu se nuk duhet të përdoren makinat e ministrave për familjarët, si dhe nuk duhet të shkohet në restorante dhe kafene në ditët e punës, pikë që sipas tij nuk është zbatuar deri më tani.

Rama tha se në shkeljen e parë ministri duhet të kërkojë ndjesë, ndërsa në shkeljen e dytë duhet të largohet nga detyra.

“Në kod nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë nuk duhet të fluturojnë me Business Class kur udhëtojnë nëpër Evropë, as që anëtarët e qeverisë nuk mund të shkojnë me pushime jashtë shtetit. As që anëtarët e qeverisë mund të drekojnë në restorante e kafene gjatë ditëve të punës, përveç festave familjare, apo kur dreka dhe darka ka një arsye pune.

Dy të parat për udhëtimet dhe pushimet përgjithësisht janë zbatuar. Kjo ka shënuar një ndryshim krahasuar me qeveritë e mëparshme kur anëtarët e qeverisë udhëtonin si biznesmenë apo shullëheshin në plazhet e botës. Duhet përcaktuar që bashkëshortët e anëtarëve të kabinetit nuk mund të përdorin sallën VIP të Aeroportit. Një ministër nuk mund të pranojë bileta udhëtimi nga kompani private për bashkëshortin. E njëjta gjë vlen edhe për veturat e qarkullimit në rrugë.

Po njësoj edhe ndalimi i makinës së ministrit për familjarët, në mungesë të tij. Ndërsa ndalimi i shkuarjes në restorant dhe kafene për ditët e punës, për fat të keq nuk është zbatuar. Kjo është edhe arsyeja që desha ta them publikisht që të gjithë ta dimë, që qeveria ka një Kod Etik dhe nuk është vetëm një kornizë normash etike në letër, por mënyrë jetese publike i çdo ministri. Ndaj dua ta bëj me dije se në rastin e parë të mosrespektimit të Kodit Etik, ministri përgjegjës të kërkojë ndjesë publike dhe në rast të përsëritur do të duhet të lirojë vendin në këtë tryezë. Kjo bën fjalë edhe për mua. S’e kam problem që të respektojë kodin dhe 4 vite të tjera”, tha Rama. Kryeministri foli edhe për raportin që duhet të mbajnë ndaj opozitës.  

“Ne nuk do t’i përgjigjemi me formatin e vjetër opozitës. Është një format që e ka derdhur me kohë kupën e durimit të publikut. Politika është e vetmja mundësi që njerëzit të bëjnë gjërat që të vetmuar si bëjnë dot. Kemi 4 vite kohë për të bërë gjëra që s’janë bërë kurrë më parë ndaj s’kemi kohë për të humbur me opozitën ‘e lagu se lagu”, tha ai.

Rama tha se në marrëdhënien me Kuvendin duhet treguar më shume respekt.

“Qeveria buron nga Parlamenti dhe jo e kundërta. Prania juaj në komisionet parlamentare nuk duhet të vihet në diskutim, përveçse në raste ekstreme dhe duke u dakordësuar me kreun e grupit parlamentar. Vetëm për arsye pune nuk duhet të vihet në diskutim prania juaj në hapjet seancave të Kuvendit. Ky është minimumi etik në marrëdhëniet qeveri-parlament”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë