Politike

Selami: Berisha fatkeqësia e PD. Basha nuk është një lider, por mund të mbijetojë

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduart Selami, e shikon përplasjen mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës si një fatkeqësi pas 30 vjetësh demokraci në vend.

Duke folur për herë të parë për çështjen që ka futur në një betejë të gjatë ish-kryeministrin me kryetarin aktual të partisë, Selami tha ky është një shans i dytë për demokracinë shqiptare për të ndëshkuar politikanët e korruptuar falë SHBA-ve.

“Mendoj se ky është një debat tejet i vonuar për PD-në. Fatkeqësia e PD-së ka qenë Berisha, që edhe pas shpalljes “non grata” vazhdon përpjekjet për të mbajtur peng PD-në, – tha ai për VOA-n. – Unë nuk mund ta mendoj, Berisha duhet të kishte kapërcyer këtë me kohë. Një skenar që ky të vijë si reformator i PD-së është e pamundur”.

Sipas tij, Lulzim Basha duhet ta kishte filluar më herët këtë debat në parti, “por provoi se nuk është një lider i PD, por një njeri i përzgjedhur i Berishës”.

Selami beson se Berisha nuk ndryshon, edhe pse në takimet e tij të Foltores në disa qytete të Shqipërisë ka shprehur frymë ndryshimi dhe reformimi.

“Autoritarizmi i Berishës ka nisur që në fillim të viteve ’90, është pikërisht autoritarizmi që Berisha solli nga partia e tij komuniste, e futi Shqipërinë në luftë civile, krijoi kulturën e mosndëshkimit: ai ka qenë epiqendra, jo se nuk ka të tjerë që nuk duhen ndëshkuar. Berisha i ka shpërdoruar mundësitë që i ka dhënë SHBA”.

Ish-deputeti demokrat akuzon më pas Bashën e Berishën se nuk i kanë respektuar statuset e partisë, “që të dy kanë mungesë besueshmërie, Basha duhet të tregojë se është lider i PD dhe deri tani ka treguar se është i përzgjedhuri. Nismën për të përjashtuar Berishën duhet ta merrte ai dhe jo SHBA-të. Ky është një shans i dytë për demokracinë shqiptare për të ndëshkuar një qeverisje të keqe të korruptuar, Shqipëria ka mundësi falë SHBA-ve të bëhet një vend i përparuar”.

Megjithatë Selami shton se “Basha mund t’i mbijetojë kësaj përplasjeje, sepse aty është parti kryetarësh, por nuk është kjo çështja… Nuk është çudi që sot ndahen dhe nesër bashkohen”.

Selami është i bindur se shkëputja e PD është arritur, sepse “Berisha është kapitull i mbyllur, ai është e kaluara. Ka mbetur edhe një fazë e vogël”.

Ai vëren se çdo përpjekje për t’i dhënë hapësirë Berishës është e panevojshme. “Basha është kopje e shëmtuar e Berishës, Berisha është origjinali, tani u kujtua ai ta largojë kryetarin pas 3 humbjesh në zgjedhje”.

Në fund, Selami mohoi një rikthim tjetër në PD. “Jo. Interesi im është që të shikoj Shqipërinë që të përparojë. Une mendoj që kontributi im i takon së kaluarës. Kam parë aty mjaft të rinj dhe të reja që do ta çojnë Shqipërinë aty ku duhet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë