Të dhënat e disa delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike janë bërë publike nga drejtuesit vendorë të kësaj partie që kanë dalë në mbështetje të Sali Berishës dhe Kuvendit të thirrur prej tij më 11 dhjetor.
Sipas organizatorëve të Kuvendit të thirrur nga Berisha, çdo delegat që ka firmosur për mbajtjen e tij më 11 dhjetor do të pajiset me kartën e delegatit e cila përmban edhe një kod skanimi. Karta është e ngritur me simbolet e PD-së dhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi është e paligjshme.
“Është e vërtetë që në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbolet e Partisë Demokratike dhe të dhënat e anëtarëve të PD dhe anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhuara nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike”, shkruan Bardhi në një mesazh drejtuar kryetarëve të degëve të partisë.
Sekretari i Përgjithshëm thotë se me këtë veprim synohet të dëmtohet interesi politik i Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e publikut si një celulë ilegale, ku cilido për interesin e tij personal mund të përdorë simbolet e PD, apo të dhënat e anëtarëve të sa.
Ai e përmbyll mesazhin me kërkesën që degët e partisë të identifikojnë personat, që sipas tij kanë falsifikuar dokumentet dhe po i shpërndajnë ato.
“Në përputhje me statutin, kërkojë përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në degët respektive administrojnë, shpërndajnë, apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje