Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e Këshillit Kombëtar për ditën e diel si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra nga Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha këtë të shtunë.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit është thirrur me objekt shkarkimin e Edi Palokës nga posti i kryetarit të këtij këshilli dhe anëtarëve të tjerë të Kryesisë që nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e mbajtur këtë të shtunë dhe të 11 kryetarëve të degëve që morën pjesë në Kuvendin e Berishës.
Lista e anëtarëve të Kryesisë që nuk ishin të pranishëm në mbledhjen Kryesisë këtë të shtunë, për të cilët do të propozohet shkarkimi përbëhet nga Edi Paloka, Belind Kelliçi, Ivi Kaso, Albana Vokshi, Aldo Bumci, Gent Strazimiri, Gert Bogdani, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Ervin Minarolli, Ledina Mandia.
Ndërkohë, nga Kryesia ka vendosur shkarkimin për kryetarët e degëve në Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër me arsyen zyrtare se nuk i janë përgjigjur Kuvendit të 18 dhjetorit.
Basha e quajti Kuvendin e Berishës si shfaqje personale të ish-kryeministrit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai tha se institucionet e PD janë në krye të detyrës dhe në shërbim të demokratëve dhe të të gjithë shqiptarëve.
Kuvendi i vërtetë, sipas tij, është ai i 18 dhjetorit, ku tha se do të merren disa vendime të rëndësishme e foli për pastrim nga “mbeturinat e komunizmit dhe korrupsionit”.
“Demokratët do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar të thirrur më 18 dhjetor ku do të diskutojnë dhe marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e tyre dhe jo për hallin personal të Sali Berishës. Më 18 dhjetor lëmë pas pjesët e hidhura të së shkuarës bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe korrupsionit drejt ndryshimit që meriton çdo demokrat dhe çdo shqiptar”, u shpreh Basha.
Në anën tjetër, Kuvendi i mbledhur në Air Albania nga Sali Berisha ka shkarkuar me 4446 vota të delegatëve Lulzim Bashën për thyerje të rënda të statutit të PD dhe shkelje të interesave politike të PD..
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje