Politike

Ikën Rushaj, Alibeaj në krye të Grupit. Gjekmarkaj nënkryetar i PD. Basha largon përkrahësit e Berishës, përveç Boçit e Kotit

Largimi i Alfred Rushajt që ishte i vetmi që nuk mbajti qëndrim ndaj protestës së 8 janarit nga lidershipi i PD-së u cilësua nga Gazment Bardhi si dakordësi paraprake mes Lulzim Bashës dhe Alfred Rushajt, i cili në mbledhjen e të shtunës të Këshillit Kombëtar nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore.

“Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe çon përpara sfidat që ka PD”, mësohet të jetë shprehur Basha.

Në vend të Rushajt, në parti detyrën e nënkryetarit do ta marrë deputeti i Lezhës, Agron Gjekmarkaj i cili nga e shtuna do të jetë edhe nënkryetar i Kuvendit.

 Enkelejd Alibeaj aktualisht nënkryetar i Kuvendit do të kalojë në krye të grupit parlamentar të PD-së, detyre të cilën e mbante Rushaj.

Gjekmarkaj që deri më tani mbante drejtimin e Komisionit të Arsimit do të zëvendësohet nga Flutura Açka.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Lulzim Basha, ka zëvendësuar të gjithë përkrahësit e Berishës ndaj të cilëve ka masa pezullimi dhe për disa të tjerë përjashtimi në bazë të një vendimi të mëparshëm të kryesisë.

Albana Vokshi e përjashtuar nga PD-ja do të zëvendësohet në krye të Komisionit të Shëndetësisë nga Grida Duma.

Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve është emëruar Dhurata Çupi në vend të Oerd Bylykbashit i pezulluar nga strukturat zyrtare të partisë.  

Sekretariati për Buxhetin do të mbulohet nga Xhelal Mziu, ndërsa Bledion Nallbati do të jetë anëtar i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

Nuk ka lëvizur nga detyra e nënkryetarit të grupit parlamentar, Luçiano Boçi i cili është rreshtuar nga pala e Berishës me argumentin se ai nuk është anëtar i Komisionit të Rithemelimit që sipas PD-së organizoi dhunën e 8 janarit.

Nuk ka lëvizje as për Sorina Kotit tek komisioni i Ekonomisë me të njëjtin argument.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë