Politike

Meta kujton Skënderbeun në ditën e vizitës së Erdogan dhe foltores “për sovranitet” të Sali Berishës

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën me përkujtimin e 554-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Kryeheroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, krenaria dhe fuqia, trimëria dhe guximi, frymëzimi dhe lavdia jonë e çdo epoke, do të mbetet përjetë shqiptari më i gjallë ndër nesh!”, shkruan Presidenti.

Në këtë përvjetor, Shqipëria vizitohet nga Presidenti turk, Recep Taip Erdogan, ndërsa politika zien nga “Foltorja” e Sali Berishës, që thotë se lëvizja e tij synon t’i rikthejë sovranitetin Partisë Demokratike dhe shqiptarëve.

Tërthorazi, Meta duket se i cek që të dyja këto zhvillime të aktualitetit politik.

“Vepra e pavdekshme e simbolit më përbashkues, që përcaktoi përkatësinë tonë europiane do të na udhëheqë gjithmonë në çdo përpjekje për liri, sovranitet dhe dinjitet kombëtar”, shkruan Meta.

Shënimi shoqërohet me një pjesë nga filmi “Skënderbeu” me në sfond kolonën zanore të kompozitorit Çesk Zadeja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë