Bota

Ukraina refuzon propozimin rus për një model neutraliteti si Austria dhe Suedia

Gazeta Si – Sipas kryenegociatorit rus Vladimir Medinsky, në bisedimet me Ukrainën, Kievi do të ishte i gatshëm të merrte një status të “neutralitetit të çmilitarizuar, si Austria apo Suedia, me ushtrinë e tyre”.

Kështu shkruan agjenci e lajmeve ruse, “Interfax”. “Një gamë e tërë çështjesh në lidhje me madhësinë e ushtrisë ukrainase janë në diskutim”, tha ai.

Por Ukraina ka hedhur poshtë idenë e neutralitetit të saj bazuar në këto modele europiane, sipas këshilltari presidencial Mikhailo Podolyak. Ukraina bën thirrje për “garanci absolute sigurie” kundër Rusisë, ndërsa refuzon idenë e një modeli “neutraliteti suedez ose austriak” të paraqitur nga Moska”.

Ukraina është tani “në një gjendje lufte të drejtpërdrejtë me Rusinë. Prandaj, modeli mund të jetë vetëm ukrainas”, – tha Podolyak, gjithashtu mes negociatorëve në tryezën me Moskën, në një koment të publikuar nga presidenca.

Podolyak më pas nënvizoi se Kievi dëshiron “garanci absolute sigurie” kundër Rusisë, në të cilën nënshkruesit marrin përsipër të ndërhyjnë përkrah Ukrainës në rast agresioni.

Nga ana tjetër, Medinsky shtoi se negociatat po përparojnë ngadalë, por Rusia po përpiqet sinqerisht për paqen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Sigurisht, ne do të donim që gjithçka të ndodhte shumë më shpejt, kjo është një dëshirë e sinqertë e palës ruse. Ne duam të arrijmë paqen sa më shpejt të jetë e mundur”.

Çështja e kërkesave për sanksione të ndërsjella është një nga “çështjet kyçe” në çdo raund negociatash mes Rusisë dhe Ukrainës sipas shefit të delegacionit rus, këshilltari presidencial, Vladimir Medinsky.

“Sigurisht që thirrjet për sanksione të ndërsjella midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe në përgjithësi e gjithë kjo situatë e çmendur që lidhet me sanksionet ekonomike, e cila duket më shumë si një luftë ekonomike kundër Rusisë, në një shkallë të gjerë dhe të paprecedentë, është një nga temat kryesore në negociatat në secilën nga takimet tona”, tha këshilltari presidencial rus, duke shpjeguar më pas se bisedimet me delegacionin ukrainas vazhdojnë të zhvillohen me videokonferencë ”çdo ditë, nga mëngjesi në mbrëmje”. Formati i ri virtual u vendos për të “kursyer kohë dhe para”, duke pasur parasysh vështirësinë logjistike të tre raundeve të para të zhvilluara në territorin bjellorus.

“Ukraina tashmë ka statusin e neutralitetit. Ishte në kushtet e neutralitetit që Ukraina u tërhoq nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991 dhe statusi i neutralitetit thuhet në deklaratën e sovranitetit të Ukrainës”, vijoi kreu i delegacionit rus në negociata, i cituar nga Interfax.

“Është e qartë se çështja kryesore për ne, është statusi i Krimesë dhe Donbasi, si dhe një sërë çështjesh humanitare, të drejtat e popullatës rusisht-folëse, statusi i gjuhës ruse”, shtoi ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov përsëriti se për Rusinë pikat kyçe në negociatat me Kievin janë siguria e popullatës rusisht-folëse në Ukrainën lindore dhe çmilitarizimi i saj.

“Përdorimi i gjuhës ruse dhe liria e shprehjes janë gjithashtu të rëndësishme”, shtoi ai.

Për kreun e diplomacisë në Moskë, disa formulime të një marrëveshjeje me Ukrainën janë “afër” marrëveshjes, ndërkohë që statusi neutral për Kievin është “menduar seriozisht”. Lavrov theksoi se konflikti aktual është një moment i rëndësishëm që do të përcaktojë rendin e ri botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë