Bota

Rusët bombardojnë disa qytete ukrainase. Zelenskij: Bisedimet për paqen më realiste

Gazeta Si – Sirenat e bombardimeve ranë natën edhe në Kiev dhe në disa qytete të Ukrainës. Në veçanti, raporton “Kyiv Independent”, ato u dëgjuan në Cherkasy, Dnipro, Lviv, Odessa, Ivano-Frankivsk, Vinnytsia, Kirovohrad dhe Khmelnytskyi.

Në kryeqytet, ku është vendosur një shtetrrethim prej 36 orësh,  mëngjesin e së mërkurës u dëgjuan shumë shpërthime. Duket se forcat ruse janë më afër qendrës së kryeqytetit.

Autoritetet e Kievit njoftojnë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen “Shevchenko” u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit.

Më herët, rusët filluan të sulmojnë Mariupolin, qytetin në jug të Ukrainës që ishte i rrethuar prej ditësh nga deti. Hedhja e raketës, siç shpjeguan zyrtarët lokalë, ndodhi nga anijet ruse që zbarkuan pranë fshatit Bilosaraiska Kosa.

Dy persona humbën jetën dhe dy ndërtesa u shkatërruan nga bombardimet gjatë natës në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.

Lajmi u njoftua nga shërbimet e urgjencës ukrainase, duke shpjeguar se “për shkak të një sulmi artilerie në ndërtesa shumëkatëshe në lagjen ‘Nemyshlyansky’ të Kharkiv, disa apartamente në dy ndërtesa banimi u shkatërruan”.

Ekipet e shpëtimit arritën të shpëtonin jetën e katër personave të nxjerrë të gjallë nga rrënojat, ndërsa për dy të tjerë nuk kishte asgjë për të bërë. Një shkollë në Kharkiv është sulmuar gjithashtu rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, foli për progres në bisedimet e paqes me Rusinë, pas raundit të negociatave të së martës.

Në një videomesazh mbrëmë vonë, Zelensky zbuloi “pozicionet në negociata tashmë duken më realiste”.

Por ai shtoi se “duhet ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”.

Bisedimet midis negociatorëve rusë dhe ukrainas do të vazhdojnë më vonë. Presidenti Zelensky do t’i drejtohet gjithashtu Kongresit Amerikan sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë