Bota

Suedia në NATO brenda qershorit? Rusia dërgon mjete ushtarake në kufi me Finlandën (Video)

Gazeta Si – Ditët e fundit, Rusia nuk e ka fshehur se e shikon të papranueshme mundësinë që Suedia dhe Finlanda mund të aplikojnë për t’u anëtarësuar në NATO.

Sot, ndërsa diskutimi në të dy vendet për zyrtarizimin e këtij hapi ka nisur, Moska ka vendosur të dërgojë një sinjal më pak diplomatik sesa fjalët e përdorura nga ministri i Jashtëm në orët e fundit (“Vendimi i tyre nuk do të rrisë stabilitetin në Evropë”).

Automjetet ushtarake ruse u panë në Viborgut, një qytet rus pranë kufirit finlandez. Këtë e dëshmon një video e verifikuar nga “Sky News”, e cila tregon lëvizjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet e mbrojtjes bregdetare, në kufirin mes dy vendeve.

Lëvizja vjen pasi Finlanda ka njoftuar synimin e saj për të vendosur nëse do të kërkojë të bashkohet me NATO-n “brenda javëve të ardhshme”, dhe në Suedi, mediat lokale po filtrojnë lajmet në lidhje me mundësinë e një aplikimi për t’u bashkuar me Aleancën Atlantike deri në qershor.

“Ka një para dhe pas 24 shkurtit”, tha kryeministrja suedeze Magdalena Anderson, duke iu referuar datës së fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Andersson dhe homologja e saj finlandeze Sanna Marin u takuan këtë të mërkurë në Stokholm.

“Ka tema që duhen analizuar me shumë kujdes, – tha Anderson në konferencën për shtyp, – duhet të peshojmë të gjitha vndimet pro dhe kundër. Në të njëjtën kohë, nuk shoh asnjë arsye për të shtyrë vendimin. Zgjedhjet do t’i kemi në shtator dhe duhet të përqendrohemi”.

“Ka perspektiva të ndryshme nëse do të anëtarësohemi apo jo në NATO, ne duhet t’i analizojmë me kujdes, – tha Marin, – por unë mendoj se procesi ynë i vendimmarrjes do të jetë i shpejtë, brenda javësh”.

“Rusia është fqinji ynë. Ne kemi një kufi të gjatë me ta dhe shikoni se si ata sillen në Ukrainë tani. Është një luftë në Evropë që ne nuk donim të ndodhte, por fatkeqësisht po ndodh tani. Prandaj, padyshim që duhet t’i bëjmë vetes pyetjen se si mund të reagojmë në Finlandë për ta shmangur atë”, tha Marin.

Kryeministrja suedeze Magdalena Anderson dhe ajo finlandeze Sana Marin gjatë takimit në Stokholm. Gazeta “Si”, 13 prill 2022

Finlanda, së bashku me Suedinë, prej vitesh merr pjesë si vëzhguese në stërvitjet ushtarake aleate, ndërsa NATO ka sinjalizuar se të dy vendet do të priten krahëhapur.

Finlanda, anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1995, ndan 1340 kilometra kufi tokësor me Rusinë. Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo ishte jashtë bllokut dhe kishte marrëdhënie të mira fqinjësore me BRSS, por më pas kaloi nga statusi i “neutralitetit” në atë të “ushtarakisht jo aleate”.

Megjithatë, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Presidenti i Republikës, Sauli Niinisto (të cilit Kushtetuta finlandeze i beson udhëheqjen e politikës së jashtme së bashku me qeverinë), shpjegoi se situata ka ndryshuar rrënjësisht: “Sondazhet e fundit thonë se më shumë se 60% e bashkatdhetarëve të mi janë pro anëtarësimit në NATO”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë