Nëse për dosjet, socialistët e kanë gati draftin për ta miratuar në Kuvend, përmes të cilit synojnë që të verifikojnë nëse Ilir Meta ka qenë, apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, për Sali Berishën nuk ka një nismë konkrete ligjore që ta shenjëstrojë.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla thotë se në vjeshtë Kuvendi duhet të adresojë, sipas tij, absurdin që zgjat prej një viti me praninë e Sali Berishës në sallë.
“Situatë e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij”, shkruan ai.
Balla nuk jep më shumë detaje se si do të ‘adresohet’ kjo situatë absurde sipas tij. Por, një mundësi që po shqyrtojnë socialistët është përdorimi i një mjeti ligjor të propozuar nga Partia Demokratike dhe me anë të të cilit demokratët kanë larguar nga Kuvendi disa deputetë e kryetarë bashkish të socialistëve; dekriminalizimin.
PS mund të propozojë, me gjasë që në shtator ndryshime në ligjin e Dekriminalizimit, ku veç personave të dënuar të përfshihen edhe ata të shpallur non grata nga SHBA, apo partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ky parashikim do të largonte nga Kuvendi automatikisht Sali Berishën, që është i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Zyrtarisht nuk ka asnjë propozim konkret, ndërsa jozyrtarisht ka të paktën disa javë që po diskutohet si mundësi mes socialistëve. Propozimet jozyrtare janë dy. I pari është që ndryshimi të jetë me efekt të menjëhershëm, që do të thotë t’i ndërpresë direkt mandatin e deputetit Sali Berishës, ndërsa propozimi i dytë është ndalimi i të drejtës për t’u zgjedhur i personave të shpallur ‘non grata’ nga SHBA, ose një vend europian.
Në këtë rast, ligji nuk do të ketë efekt prapaveprues, që do të thotë se Sali Berisha mund të mbyllë mandatin e deputetit, por atij do t’i ndalohej kandidimi në zgjedhjet e radhës parlamentare, qofshin ato të rregullta për në 2025-n, qofshin të parakohshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje