Politike

Blinken pas takimit me Xhaçkën: SHBA do të qëndrojë krah për krah me Shqipërinë

Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të qëndrojnë të palëkundur krah për krah me Shqipërinë.

Ky është mesazhi që ka dhënë Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Binken pas takimit me ministren së Jashtme Olta Xhaçka.

Përmes një postimi në Twitter, sekretari Blinken shton se mes diplomatëve të dy vendeve u diskutua për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë.

Blinken thekson se SHBA-të qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, të cilën e cilëson një aleate prej kohësh.

“Kënaqësi të shikoja miken time Olta Xhaçka dhe të festonim një Dialog Strategjik të suksesshëm SHBA-Shqipëri. Ne diskutuam për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej kohësh”, shkruan Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Në takimin në Departamentin e Shtetit të dyja palët rikonfirmuan partneritetin strategjik dhe angazhohen për të vijuar bashkëpunimin me interes të përbashkët në fusha si: mbrojtja, siguria kibernetike, energjia, transporti apo tregtia. Garanci që u konfirmua edhe nga Xhaçka dhe Blinken pas përfundimit të këtij dialogu.

Ndërkohë, në një njoftim të së mërkurës, të shpërndarë nga ministria e Jashtme shqiptare, mësohet se Blinken shprehu mirënjohjen e SHBA ndaj Shqipërisë si një aleat që gjithmonë ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj.

Ai vlerësoi faktin që Shqipëria strehoi shtetasit afganë dhe nënvizoi se SHBA do të jenë gjithmonë në krah të vendit tonë.

Nga ana e saj kryediplomatja Xhaçka është shprehur se, “Shqipëria  e vlerëson shumë partneritetin e saj strategjik me SHBA-të  dhe “jemi të bindur se kjo marrëdhënie do të thellohet dhe zgjerohet më tej në të ardhmen duke u bazuar në  themelet e qëndrueshme të miqësisë midis vendeve dhe njerëzve tanë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë