Nga Gazeta “Si” – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të enjten, ende pa arritur një konsensus mes vedi.
Deputetë të grupit ”Alibeaj” nuk komentuan marrëveshjen, por pakti Berisha-Meta vjen vetëm pak ditë kur votat për këtë të fundit u bënë të qarta në Kuvend.
Grupi “Alibeaj” i dha votat nismës së PS që në thelb synon përjashtimin e Ilir Metës nga jeta politike.
Takimi i Enkelejd Alibeajt me kryetarët e degëve të Bashës, qëndrimi injorues që i bëri protestës së thirrur nga Berisha (edhe pse ky i fundit i kujtoi se e ka detyrim), mos tërheqja e padive nga gjykatat, mos tërheqja e vendimit për përjashtimin dhe pezullimin e deputetëve nga grupi i PD me firmën e Bashës, negociatat në vijim të Alibeajt me Taulant Ballën për reformën territoriale dhe atë në drejtësi, pamundësia për të gjetur një emër për Avokatin e Popullit (duke çuar dy kandidatura) seanca e radhës e Apelit më 3 nëntor për statutin e Lulzim Bashës, fillimi i primareve nga Berisha pa dakordësi me palën negociuese (që ka kërkuar tjetër mekanizëm), të çojnë në logjikën e thjeshtë se pakt mes tyre nuk ka.
Megjithatë negociatat do të zgjasin deri në datën 6 nëntor. Por pse deri atëherë kur deri më tash kemi vetëm një takim publik mes Gazmend Bardhit dhe Edi Palokës?
E thjeshtë: Kandidatët për kryetarë bashkie.
Sipas dokumentit zyrtar të nxjerrë nga Berisha, ata duhet të depozitojnë CV-të e tyre deri në datën 6 nëntor.
Asnjë prej palëve nuk e ka pranuar që po bëhet “pazar” për emrat, por thashethemet kanë nisur. Duke filluar që me Tiranën ku grupi “Alibeaj” anonte me shumë për Gerti Bogdanin dhe ndonjë emër tjetër, tek Ledina Aliolli për Bashkinë e Korçës përballë emrit të ‘Rithemelimit’ Eleni Qirici, te bashkitë më të nxehta më pas, si Durrësi ku kryetari aktual i PD-së, Igli Cara po synon t’i futet garës në struktura për bashkinë, dhe për t’u ndalur tek Elbasani, aty ku Basha pati fitoren më të madhe në karrierën e tij politike.
Në Elbasan po diskutohen dy emra për primare deri më tani. Blendi Himçi, Sekretari i Përgjithshëm i degës së PD-së së Elbasanit që mbështeti Berishën në përplasjen me Lulzim Bashën dhe Aurel Bylykbashi kryetar i PD-së së kësaj dege në periudha të ndryshme zgjedhore, një politikan që njihej (të paktën deri dje) për raporte te ngushta miqësore me ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. As Himçi dhe as Bylykbashi nuk e kanë depozituar ende kandidaturën zyrtarisht.
Gjithçka po mbetet pjesë e klaneve të brendshme dhe mbi të gjitha e influencave që do të krijohen në struktura.
PD e ka të qartë se fitorja ndaj PS-së në këto zgjedhje do të jetë tejet e vështirë, por në këtë proces do të rikuperojnë jo pak emra njerëzish influentë në struktura përmes votimit. Ashtu siç ishte edhe rasti i Luçiano Boçit, ish-bashkëpunëtorit të Lulzim Bashës, që arriti të thyejë herësin duke u futur në Kuvend.
Boçi krijoi për pasojë një pol të tij në struktura, meritë që ia njohu edhe Berisha, duke u shpërblyer deri në detyrën e nënkryetarit të partisë.
Nëse negociatat do të ishin parimore, një marrëveshjeve mes dy poleve (pavarësisht peshës) që ndahen që në thelb e më pas në aksione politike, (siç ka rezultuar) nuk do të ishte as fare e realizueshme.
Ajo që duket se po i mban peng këto negociata janë thjesht pazaret për influencat në strukturat e partisë. Sepse kjo ka më shumë rëndësi në përllogaritjet mes grupeve sesa vetë rezultati zgjedhor. PD në këtë situatë që gjendet nuk mundet të shkojë më shumë se aq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje