Kreu i NATO-s thotë se raketa që goditi Poloninë ka të ngjarë të jetë lëshuar nga mbrojtja e Ukrainës, por Rusia mban “përgjegjësinë përfundimtare”
Përmes një konference për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se hetimet e deritashme sugjerojnë se një sulm vdekjeprurës në Poloni të martën ishte “ndoshta” i shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.
“Analiza jonë paraprake sugjeron se incidenti ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga raketa e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për të mbrojtur territorin ukrainas kundër sulmeve me raketa ruse”, tha Stoltenberg gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Bruksel.
Por më lejoni të jem i qartë, ky nuk është faji i Ukrainës,” shtoi ai. “Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare, pasi ajo vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”
“Ne nuk kemi asnjë indikacion se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese kundër NATO-s”, tha shefi i aleancës.
Rënia e një rakete vdekjeprurëse në Poloninë lindore pranë kufirit me Ukrainën të martën shënoi herën e parë që një vend i NATO-s goditet drejtpërdrejt gjatë konfliktit.
Stoltenberg tha gjithashtu se incidenti i raketave tregon se lufta “vazhdon të krijojë situata të rrezikshme” dhe se konflikti është “përgjegjësi e Presidentit (Vladimir) Putin”.
“Unë mendoj se ky (incident me raketa) tregon se rreziqet janë të lidhura me luftën e vazhdueshme në Ukrainë, por nuk e ka ndryshuar vlerësimin tonë themelor për kërcënimin kundër aleatëve të NATO-s,” tha ai.
Stoltenberg tha se hetimi për incidentin me raketa në Poloni është duke vijuar dhe se NATO do të vazhdojë të monitorojë situatën “nga shumë afër”.
“Ne duhet të qëndrojmë vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë,” tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje